E papritur, Bale ka marrëveshje për rikthimin te Tottenham si agjent i lirë në verë

Sulmuesi i Real Madridit, Gareth Bale ka marrëveshje për rikthimin te Tottenham, kur të jetë agjent i lirë në verën e ardhshme.

Sport

08/02/2022 17:27

Uellsiani u kthye te Spurs si huazim për një periudhë të dytë sezonin e kaluar, e cila erdhi shtatë vjet pasi u largua për herë të parë, drejtë kalimit në Madrid, transmeton lajmi.net.

Bale ka pasur një karrierë të shkëlqyer në “Santiago Bernabeu”, edhe pse ka rënë në vitet e fundit dhe largimi duket i pashmangshëm në qershorin e ardhshëm.

Sipas “El Nacional”, Bale ka arritur një marrëveshje për t’u rikthyer në Tottenham për një periudhë të tretë sezonin e ardhshëm, një lajm që me siguri do të jetë një surprizë e madhe për shumicën e tifozëve të Spurs.

Ndërsa Bale padyshim do të mbetet diçka e preferuar për tifozët në Tottenham, 32-vjeçari me siguri nuk është më aq i mirë sa për të luajtur javë pas javë në nivelin e kampionatit anglez.

Madje është folur për Bale që mund të tërhiqet këtë verë, gjë që duket më e besueshme sesa të kthehet sërish në Tottenham, duke pasur parasysh se sa shumë duket se ka rënë nga dashuria me lojën për t’u fokusuar te golfi./Lajmi.net/