E pabesueshme: 16 lojtarë të klubit të famshëm brazilian janë pozitiv në COVID-19

Një nga klubet më të mëdha braziliane, Vasco de Gama, ka njoftuar të hënën se 16 lojtarë nga ekipi i tyre kanë dalë pozitiv në koronavirus.

Sport

02/06/2020 19:36

Klubi nga Rio de Zhaniero zbuloi se kishte kryer një total prej 350 testesh mes lojtarëve, familjarëve të tyre, stafit stërvitor dhe gjithë personave të lidhur me klubin, ku zbuluan se 30 për qind e të testuarëve janë infektuar me COVID-19.

Në atë 30 për qind, janë edhe 16 futbollistë, të cilët janë vendosur në izolim, ndërsa tre prej tyre janë shëruar.

“Lojtarë që kanë dalë pozitiv do të na bashkohen në stërvitje vetëm kur të shërohen 100 për qind”, ka deklaruar mjeku i klubit, përcjell lajmi.net.

Në fillim të majit, tre lojtarë të Flamengos, klubit tjetër nga Rio de Zhaniero, u testuan pozitiv për koronavirus.

Në Brazil, ndeshjet e futbollit janë pezulluar në mes të muajit mars, shkaku i pandemisë, që në këtë vend u ka marrë jetën gati 30 mijë personave./Lajmi.net/