“E njoha si student”, Veseli shkon për ngushëllime te familja e Qerim Kelmendit
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka shkuar sot për ngushëllime në familjen e Qerim Kelmendit, ish-ushtarit të UÇK-së që u vra para disa dite në Pejë.
Lajme
Përmes një postimi në Facebook, Veseli ka thënë se Kelmendin e ka njohur si student në Fakultetin e Bujqësisë, shkruan lajmi.net.
Ai Kelmendin e ka përshkruar si një njeri trim, të zhurmshëm e kryengritës.
Postimi i plotë i Veselit në Facebook:
Sot për ngushëllime tek familja e Qerim Kelmendit. Qerimin e njoha nga studimet. E njoha si student i Fakultetit të Bujqësisë, nga mesi i fundviteve ’80. Ishte i zhurmshëm, trim, kryengritës.
Gjatë ndryshimeve kushtetuese, Qerimi iu nënshtrua një persekutimi çnjerëzor disamujor të UDB-së jugosllave. Ai nuk u ndal as pas lirimit.
Në vitin 1992, qëndruam një kohë bashkë në Tiranë. Ishim djem të rinj, të ikur, për studime apo për ndonjë armë në Tiranë.
Më vonë, Qerimin, apo “Shpirtmadhin” siç e quanin shokët e Pejës, më rastisi ta shohë më pak personalisht në jetë, por ta takojë shkurt dhe të dëgjoj shumë për të se ishte gjithkund ku kishte nevojë për sakrificë ndaj atdheut!
Kalonte male e kufij për Kosovën. Sa herë e takoja përmendte se i kishte frikë arushat.
Kurrë nuk e kam kuptuar a frikohej vërtet nga arushat në male, apo ishte lloj shakaje?
I tillë ishte Qerimi, për ata që e njihnin!
Në luftë dhe UÇK, ishte me tërë qenien; paslufte u mundua të bëj jetën siç dinte vetëm ai.
Të përfundoj sot i djegur në liri, në tokën e Kosovës, një luftëtar i orëve të para të lirisë, pa adresë përgjegjësie, është turp për institucionet dhe guxim i madh kriminal në shoqëri, i vrasësve që vënë dorë mbi luftëtarët e lirisë!
Qerimit i qoftë i lehtë dheu i Kosovës!
Familjes dhe bashkëluftëtarëve, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë luftëtar të lirisë!. /Lajmi.net/