E lavdëroi Rama live: Kush është Luani nga Vlora, me ekipin e tij shpëtuan shumë jetë

Gjatë një prej daljeve të tij publike mbrëmjen e djeshme, kryeministri Rama tha se pavarësisht mungesave të logjistikë, ekipet shqiptarë të shpëtimit kanë bërë një punë të shkëlqyer, ashtu si edhe të huajt.

Lajme

03/12/2019 15:48

Rama tha se ekipet shqiptare shpëtuan 38 jetë njerëzish nga rrënojat.

“Ne kemi mangësitë tona, por asnjë nga këto nuk na pengoi që të shpëtonim jetë njerëzish. Ekipet e huaja kanë bërë mrekulli, por heroi i herojve është Luani nga Vlora që ka shpëtuar dy jetë njerëzish në kushte të paimagjinueshme. Shefi i ekipit francez më tha se mënyra se u shpëtuan ato dy jetë njerëzish janë raste studimore”, u shpreh Rama.

Por, kush është Luani që përmend Rama?

Abcneës.al mëson se bëhet fjalë për shefin e zjarrfikësve të Vlorës, Luan Kapaj, i cili me ekipin e tij ishte i angazhuar gjatë ditëve të krizës së tërmetit në Durrës.

Ekipi i tij shpëtoi disa jetë njerëzish, ku vlen të theksohet ndërhyrja tek një pallat gjashtë katësh në Durrës, të cilit i ishin rrafshuar dy katet e poshtme.

Zjarrfikësit u futën nën rrënoja edhe pse sipër kishte një mal betoni që i rrezikonte jetën. Nëse godina do të binte, vdekja ishte e sigurt, por ata nuk e morën parasysh.

Në këtë ndërhyrje ata kanë shpëtuar dy persona të ngecur nën rrënoja. Kapaj u be i njohur për shqiptarët teksa refuzoi të qendronte i shtrirë në ambulancë edhe pse mjekët i thanë se duhej të qetësohej.

Ai u ngrit dhe shkoi sërish në rrënoja për të shpëtuar jetë.

Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi 51 të vdekur dhe më shumë se 1 000 të lënduar, ndërkohë që dëmet materiale janë ende të pallogaritura, por fatura pritet të jetë e lartë.  /abcnews.al