E kritikuan Hashim Thaçin – a do të kemi një “president politik” që rrjedh nga pazaret e LDK-së dhe VV-së

“President politik”, kështu e kishte quajtur Lëvizja Vetëvendosje presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi.

Lajme

20/11/2019 20:59

Një epitet të tillë Thaçit i kishte ardhur nga fakti se ky ishte votuar nga koalicioni LDK – PDK i asaj kohe, ku kryeministër ishte Isa Mustafa, shkruan lajmi.net.

E një tjetër “president politik” siç duket do ta kemi edhe pas një viti e gjysmë kur presidentit Thaçi i skadon mandati.

Në bisedimet për koalicion midis Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje në tavolinë është hedhur edhe posti i Presidentit.

Thuhet se këtë post e kërkon Lidhja Demokratike e Kosovës dhe atë e do të sigurt tani. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje këtë temë po tenton ta zhvendosë deri në kohën kur Thaçit do t’i kalojë mandati.

Të dy partitë që Thaçin e kishin quajtur “president politik”, brenda kalkulimeve të tyre politike e kanë futur pikërisht këtë pozitë që sipas kushtetutës duhet të përfaqësojë unitetin e popullit.

Njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani për lajmi.net është shprehur se presidenti nuk duhet të jetë pjesë e pazareve politike, por ka tërhequr vërejtjen se kjo do të ndodhë, përderisa ka diskrepancë midis idealizmit kushtetues dhe realizmit politik.

“Mund të them se për shkak që Presidenti është simbol i unitetit dhe konsensusit në Kosovë ai duhet të mos jetë pjesë e pazareve politike por ekziston një lloj diskrepance midis idealizmit kushtetues dhe realizmit politik sa të ekzistojë kjo diskrepancë posti i presidentit do të jetë gjithmonë pjesë e pazareve politike dhe meqenëse posti i presidentit lirohet për dy vjet partitë politike e sidomos LDK-ja do mundohet të bëjë ekuacione politike mbi të”, tha Ramadani për lajmi.net.

Ramadani më tutje ka theksuar se kjo bëhet edhe t’i dërgohen mesazhe Hashim Thaçit ndërsa ka potencuar gjithashtu se derisa ekziston një diskrepancë e tillë – ky post nuk do të jetë asnjëherë unifikues.

“Kjo bëhet edhe për t’i dërguar mesazh Hashim Thaçit se tashmë fati  i tij varet prej marrëveshjes LDK – VV dhe se meqenëse tash PDK nuk është në pozitë ai nuk ka stabilitet. Vetëvendosje mundohet ta shtyej, ndërsa LDK e di se nëse nuk bëhet tani marrëveshja që atëherë nuk do të mund ta fusë dikë që do. Mirëpo, kjo është pasojë e diskrepancës që e thash në fillim dhe kjo do ta lë postin e presidentit pasojë të marrëveshjeve politike. Posti i presidentit nuk do të jetë asnjëherë unifikues, por duhet të zgjidhet sa më unifikues të jetë e mundur”, tha Ramadani për lajmi.net më tutje.

Analisti Ramadani krejt në fund është shprehur se sipas idealizmit kushtetues kjo nuk është parimore por për shkak të situatës politike nuk mund të performohet me kërkesa të tilla siç e kërkon Kushtetuta.

“Sipas idealizmit kushtetues nuk është parimore sepse presidenti duhet të jetë i unitetit dhe çdo kush që vjen nga një parti ai përfaqëson një vizion të ngushtë të shoqërisë dhe rrjedhimisht nuk mund të jetë përçues i konsensusit por për shkak se ne jemi në këtë gjendje politike nuk do të mund të përformojmë me kërkesat dhe standardet e idealizmit kushtetues. Megjithatë duhet të gjendet dikush që ka sa më pak konflikte me palët politike në Kosovë”, tha Ramadani për lajmi.net.

E në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Rasim Alija është shprehur se presidenti duhet të jetë pjesë e bisedimeve politike midis LDK-së dhe Vetëvendosjes.

“Posti i presidentit duhet të jetë pjesë e bisedimeve. Po të ishte presidenti i zgjedhur në mënyrë direkte nga populli nuk do të ishim në pozitën ku do të ishte pjesë e diskutimeve çështja e presidentit”, tha Alija për lajmi.net.

Alija më tutje është shprehur se marrëveshja për këtë post do të anulonte problematikat që mund të shfaqen të tilla si “emrat në zarf”, për postin e presidentit.

“Por duke e parë se edhe një vit e gjysmë ka mandat presidenti aktual duhet të diksutohet dhe të mos ketë dilemë mes dy partive në fjalë për presidentit. Duhet të arrihet marrëveshje se cilit subjekt do t’i takojë posti i presidentit pa u ndalë në emra. Kjo do të mund ta anulonte një pjesë problematike. Kemi rastin e mos-konsensusit të partive politike dhe ardhjen e emrave në zarf siç ishte rasti i presidentes Jahjaga dhe pjesën tjetër, zgjedhjen e presidentit Thaçit që kishte probleme”, tha Alija për lajmi.net.

Më tutje, Alija është shprehur se  presidenti mund t’i takojë ndonjërës nga partitë politike, por se gjithashtu ai mund të jetë edhe një emër i tretë që është konsensual.

“Është e udhës që të arrihet marrëveshja mbi bazën se cilit subjekt do të mund t’i takonte presidenti, pse jo në këto formula të ishte një emër konsensual që të mos ishte as i Vetëvendosjes e as i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Tek modalitetet e zgjedhjes së emrit mund të ketë alternativa të tjera nëse bash janë bisedimet të përqëndruara rreth një emri konsensual – mund të jetë opsioni i tretë që nuk i përket asnjë subjekti politik që garanton unitetin e popullit dhe spektrit politik”, tha ai për lajmi.net.

Se cila do të jetë marrëveshja midis LDK-së dhe Vetëvendosjes për postin e Presidentit mbetet të shihet – por sipas kësaj që po ndodh Kosova do të ketë presidentin e radhës të dalur nga koalicioni i ardhshëm qeverisës. /Lajmi.net/