E krahasoi Zonjën e Parë me një majmun, u largua nga puna (Video)
Sa shtrenjtë kushton një koment i nxituar! Prezantuesit televiziv të kanalit Univision në Shtetet e Bashkuara, Rodner Figueroa, i kushtoi vendin e punës e mbase edhe mundësinë për të gjetur një post të ngjashëm së shpejti.
ShowBiz
42-vjeçari e kishte krahasuar Zonjën e Parë të Amerikës, Michelle Obama, me një personazh të filmit “Planeti i Majmunëve” në komentet e bëra ndaj videos së një artisti makijazhi të hedhur në internet.
Artisti në fjalë e transformonte veten me forcën e makijazhit në personalitete të ndryshme dhe në letrën drejtuar bashkëshortes së presidentit, Figueroa përpiqet të shfajësohet duke thënë se batutat e tij i drejtoheshin pikërisht performancës së dobët të personit në fjalë.
Univision u distancua menjëherë duke i cilësuar pohimet e prezantuesit si “të dënueshme”.
“Epo, ju e dini se Michelle Obama duket sikur është pjesë e kastit të ‘Planetit të Majmunëve’”, ka thënë 42-vjeçari gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë të mërkurën në rrjetin televiziv që transmeton në gjuhën spanjolle e që është mjaft i ndjekur në Shtetet e Bashkuara.
Drejtuesit e tjerë të shfaqjes menjëherë i hodhën poshtë vërejtjet e tij duke e përshkruar zonjën Obama si “një femër mjaft tërheqëse”. Megjithatë, Figueroa vazhdoi të këmbëngulte në pohimet e veta duke thënë: “Është më se e vërtetë”. transmeton telegarfi.com
Me vonë, në apologjinë drejtuar Zonjës së Parë, prezantuesi përveçse ka kërkuar ndjesë ka marrë përsipër edhe përgjegjësinë e plotë të deklaratave të tij, ndërsa ka theksuar se në dy zgjedhjet e fundit presidenciale ka votuar për Barack Obaman, duke mos harruar t’i referohet edhe origjinës së vet multi-racore.
Michelle Obama nuk ka bërë ende asnjë koment mbi çështjen. Në vitin 2014, Figueroa fitoi çmimin ‘Daytime Emmy Award’ për punën e shkëlqyer. Ai ishte prezantues në Univision për 17 vjet. /TCH/