E konfirmon edhe Gjukanoviq: Është diskutuar për liberalizimin e vizave për Kosovën

Bota

23/06/2022 15:52

Liberalizimi i vizave për Kosovën ka qenë temë diskutimi në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, kanë thënë në një deklaratë për media, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Presidentja Osmani, pas përfundimit të Samitit tha se ka dëgjuar shumë deklarata pozitive për Kosovën nga liderët e BE-së.

“Kemi dëgjuar deklarata mbështetëse për Kosovën, së pari për prespektivën e qartë në BE dhe liberalizimin e vizave. Por, tani na duhet të shkojmë nga fjalët në vepra”, tha ajo.

Sipas Osmanit, kësaj radhe ka pasur edhe më shumë deklarata mbështetëse për liberalizimin e vizave sa më herët.

“Duhet të them se këto kanë qenë deklaratat më pozitive që i kemi dëgjuar deri më tani për liberalizimin e vizave. Edhe shtetet që kanë qenë hezituese, shumë prej tyre kanë treguar mbështetje sot”, tha Osmani.

Ndërsa presidenti Gjukanoviq tha se shpreson që tonet nga ky takim të jenë frymëzuese për punën e pasdites së sotme të Këshillit Evropian.

“Në plan të parë ishte çështja e fillimit të procesit negociator me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe bashkë me të edhe çështja e sigurimit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Përveç kësaj, ata folën për dhënien e statusit kandidat jo vetëm për Ukrainën dhe Moldavinë, por gjatë bisedimeve u fol shumë për marrjen e statusit kandidat për Bosnje e Hercegovinën”, tha ai.

Në selinë e Bashkimit Evropian (BE), ka përfunduar Samiti BE-Ballkani Perëndimor ku 27 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane diskutuan me kolegët e tyre nga rajoni mbi sfidat, me të cilat përballen së bashku, veçanërisht në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës.

Pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të takohen sërish pasditen e 23 qershorit për të diskutuar për zgjerimin. Krahas vendimit tashmë të sigurt për dhënien e statusit kandidat dy vendeve, Ukrainës dhe Moldavisë, liderët do të merren edhe me situatën në Ballkanin Perëndimor.