E kërcënoi me burg, Basha i kthehet ashpër Ramës: Ti e di se Xhafaj është koka e krimit!

Edhe pse ndodhet në Sofje, ku po merr pjesë në Samitin e Partive Popullore Evropiane, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, nuk ka lënë mënjanë zhvillimet e ndezura politike në Shqipëri.

Lajme

16/05/2018 17:58

Kërcënimet e hapura që kryeministri Edi Rama i bëri sot opozitës për audio-përgjimin që nga PD pretendohet se bën fjalë për një bisedë mes vëllait të ministrit të Brendshëm, dhe një trafikanti droge, Basha nuk i ka marrë për bazë.

“Kërcënimi me burg i opozitës që denoncoi skandalin “Xhafaj” është skandaloz, tipik për udhëheqësit autokratë dhe të inkriminuar. Ne as nuk jemi trembur dhe as nuk tërhiqemi nga sulmet e një kryeministri që kërcënon me burg opozitën, por jo kriminelët dhe trafikantët e drogës! Në emër të Partisë Demokratike, i siguroj shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë se ne do ta vazhdojmë edhe më fuqishëm betejën me krimin e organizuar dhe do të përballemi me të njëjtën forcë me qeverinë që punon për krimin e organizuar dhe jo për qytetarët e ndershëm të këtij vendi”, thotë Basha.

Në një reagim, lideri demokrat këmbëngul se audio-përgjimi është i vërtetë dhe se nuk bëhet fjalë për manipulim, duke shtuar se përmes këtij përgjimi, burimin e të cilit PD nuk e ka treguar, vërtetohet se Agron Xhafaj, vëllai i Fatmir Xhafatj, është drejtues i trafikut të drogës nën mbrojtjen sipas tij, të vëllait ministër. Vetë Agron Xhafaj ka paditur demokratët që publikuan audio-përgjimin, thotë se nuk është zëri i tij dhe ka dorëzuar për efekt të hetimeve të nisura zërin e tij të regjistruar për të vërtetuar nëse zëri i audio-përgjimit është autentik me të tijin. Rama tha sot para grupit parlamentar socialist, se demokratët do të përballen me burg nëse gjithë ky skandal del se është një manipulim.

Në reagimin e tij të gjatë, shefi i opozitës Lulzim Basha thotë se kryeministri Rama sot foli me të njëjtën gjuhë si 5 vjet më parë, njëjtë siç ka bërë në rastin e Saimir Tahirit, Mark Frroku, Arben Ndokës dhe Elvis Roshit, të gjithë zyrtarë të Partisë Socialiste të përfshirë në akuza për shkelje të ligjit.

Por Basha thotë se vetëm kryeministri është në dijeni të aktivitetit kriminal të Agron Xhafës, dhe për këtë arsye po e dërgon atë në Itali, për t’iu dorëzuar autoriteteve atje. Opozita pretendon se ndaj Agron Xhafës ka një vendim të vitit 2012 të gjykatës italiane që e ka dënuar me 7 vjet e dy muaj burg për trafik droge. Por vëllai i ministrit në një deklaratë publike sot, tha se për të vërtetuar të kundërtën, ai do të shkojë vetë në Itali, për t’iu dorëzuar autoriteteve ligjzbatuese italiane.

“Shqiptarët duan të dëgjojnë vetë zërin e Agron Xhafajt dhe jo të dëgjojnë prej Edi Ramës rezultate ekspertize nga laboratorë pa emër apo nën pushtetin e tij. Shfaqja e Edi Ramës sot është po aq e neveritshme dhe e pabesueshme sa ishte dy vjet më parë, kur u mohonte shqiptarëve se Agron Xhafaj ishte i dënuar për drogë. Shqiptarët kanë shumë halle dhe probleme, por ata nuk harrojnë se Edi Rama u tregoi dy vjet më parë se “historia me drogë e vëllait të Fatmir Xhafës ishte e sajuar”, ndërsa sot pranoi se për këtë histori droge “Agron Xhafaj po shkon në burg me këmbët e veta”, thotë Basha.

Basha thekson se sot Rama nuk duhej të kishte bërë propagandë, por duhej të kishte kërkuar largimin e ministrit Xhafaj, dhe të mbante përgjegjësi pse nuk ka zbatuar ligjin antimafia.

“Mbrojtja e Fatmir Xhafajt dhe jo shkarkimi i tij nga Edi Rama është një provë e re sesi krimi i organizuar drejton të gjithë segmentet e shtetit: Qeverinë, Policinë dhe Prokurorinë. Duke qëndruar në detyrë, Fatmir Xhafaj, deformon dhe pengon hetimin ndaj tij dhe të të vëllait, si për trafikun e drogës nga Agron Xhafaj, ashtu edhe për pasurinë sipas ligjit Antimafia. Të gjithë e mbajnë mend se Donika Prela u emërua në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ditën kur Partia Demokratike filloi denoncimin e skandalit “Xhafaj”, – shprehet Basha.

Në reagimin e tij, Basha i kthen përgjigje edhe një tjetër akuze që kryeministri ngriti sot ndaj opozitës, se po pengon integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke stisur skandale të tilla dhe duke ja dërguar me e-mail ndërkombëtarëve.

“Është qesharake të mendosh që Macron, Merkel apo kryeministri holandez dhe qindra politikanë të lartë francezë, gjermanë, holandezë, britanikë janë aq naivë sa i gënjen opozita shqiptare dhe nuk arrijnë të shikojnë realitetin. Fakt është se ata e dinë të vërtetën nga burimet e tyre dhe burime të tjera të pavarura. Më e rëndësishmja është se Edi Rama nuk e ka pranuar ende se kusht për hapjen e negociatave është lufta kundër krimit e korrupsionit dhe jo mbyllja e gojës së opozitës”, përfundon reagimin e tij lideri demokrat Lulzim Basha.

Reagimi i plote i Lulzim Bashes

Makineria e propagandës dhe e shpërqendrimit të opinionit publik është lëshuar e gjitha në një shfaqje të turpshme që përsëritet tash e 5 vjet për të mbrojtur kriminelin dhe skandalin e radhës të qeverisë.

Është e njëjta shfaqje që e kemi parë Edi Ramën duke bërë në mbrojtje të Saimir Tahirit dhe të bandës së tij të Habiljave.

Janë të njëjtat fjalë me të cilat mohoi kanabizimin e Shqipërisë.

Është e njëjta shfaqje me të cilën mbrojti vrasësin Mark Frroku, trafikantin Arben Ndoka, përdhunuesin dhe trafikantin e drogës Elvis Roshi dhe çdo kriminel tjetër më të cilin ka të lidhur pushtetin.

Sot ishte radha e Fatmir Xhafajt dhe vëllait të tij trafikant droge, i kapur në përgjime autentike ambjentale, të pamanipuluara!

Materiali audio provoi se Agron Xhafaj nuk bën një jetë normale, por është drejtues i trafikut të drogës, nën mbrojtjen e të vëllait Ministër i Brendshëm.

Këtë fakt nuk e mohoi dot as vetë Edi Rama sot, sepse ai e di që Agron Xhafaj është një nga kokat e krimit. Edi Rama ka mjaftueshëm informacion për fuqinë e Agron Xhafajt mbi policinë e Vlorës, Policinë e Shtetit dhe rrjetit të tij kriminal në Vlorë.

Është mashtrim deklarata e Edi Ramës se ai po pret raportet e agjencive ligjzbatuese, nëse kanë indicie për Agron Xhafajn! Faktet tregojnë se ai fshehu dhe mohoi për 3 vjet rresht raportet e shërbimeve sekrete vendase dhe të huaja për implikimin e Saimir Tahirit dhe Policisë së Shtetit në kanabizimin dhe trafikun ndërkombëtar të drogës.

Edi Rama e di se përgjimi është i vërtetë dhe se Agron Xhafaj ka vazhduar trafikun e drogës, veçanërisht gjatë kohës që i vëllai është Ministër i Brendshëm. Kjo është arsyeja e vetme pse Agron Xhafaj po dërgohet në Itali pa ia nxjerrë më parë opinionit publik me zë dhe me figure! Shqiptarët duan të dëgjojnë vetë zërin e Agron Xhafajt dhe jo të dëgjojnë prej Edi Ramës rezultate ekspertize nga laboratorë pa emër apo nën pushtetin e tij.

Shfaqja e Edi Ramës sot është po aq e neveritshme dhe e pabesueshme sa ishte dy vjet më parë, kur u mohonte shqiptarëve se Agron Xhafaj ishte i dënuar për drogë.

Shqiptarët kanë shumë halle dhe probleme, por ata nuk harrojnë se Edi Rama u tregoi dy vjet më parë se “historia me drogë e vëllait të Fatmir Xhafës ishte e sajuar”, ndërsa sot pranoi se për këtë histori droge “Agron Xhafaj po shkon në burg me këmbët e veta”.

Mes propagandës, gënjeshtrave, kërcënimeve dhe ultimatumeve Edi Rama foli për gjithçka, por nuk u tha shqiptarëve asnjë fjalë pse Shqipëria sot ka për Ministër të Brendshëm një person që është subjekt i ligjit Antimafia.

Në asnjë rresht të deklaratës së tij, Edi Rama nuk u dha llogari shqiptarëve pse Fatmir Xhafaj ka penguar zbatimin e ligjit Antimafia për pasurinë e të vëllait, i dënuar për trafik droge dhe, rrjedhimisht, edhe për pasurinë e vet, siç e kërkon me detyrim ligji Antimafia.

Edi Rama sot mori rolin e ekspertit audio, të prokurorit dhe të gjyqtarit që do të burgosë opozitën, por jo të kryeministrit që, më e pakta që duhet të bënte, ishte t’i kërkonte Ministrit të tij të Brendshëm të mbante përgjegjësi pse nuk ka zbatuar ligjin antimafia dhe ta largonte atë!

Mbrojtja e Fatmir Xhafajt dhe jo shkarkimi i tij nga Edi Rama është një provë e re sesi krimi i organizuar drejton të gjithë segmentet e shtetit: Qeverinë, Policinë dhe Prokurorinë.

Duke qëndruar në detyrë, Fatmir Xhafaj, deformon dhe pengon hetimin ndaj tij dhe të të vëllait, si për trafikun e drogës nga Agron Xhafaj, ashtu edhe për pasurinë sipas ligjit Antimafia. Të gjithë e mbajnë mend se Donika Prela u emërua në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ditën kur Partia Demokratike filloi denoncimin e skandalit “Xhafaj”.

Ka edhe një mashtrim tjetër të madh që Edi Rama u bën shqiptarëve!

Sa herë atij i plasin skandale dhe sa herë opozita i zbulon lidhjet e qeverisë së tij me krimin e organizuar, Edi Rama akuzon Partinë Demokratike si pengesë për integrimin Europian!

Është qesharake të mendosh që Macron, Merkel apo kryeministri holandez dhe qindra politikanë të lartë francezë, gjermanë, holandezë, britanikë janë aq naivë sa i gënjen opozita shqiptare dhe nuk arrijnë të shikojnë realitetin. Fakt është se ata e dinë të vërtetën nga burimet e tyre dhe burime të tjera të pavarura.

Më e rëndësishmja është se Edi Rama nuk e ka pranuar ende se kusht për hapjen e negociatave është lufta kundër krimit e korrupsionit dhe jo mbyllja e gojës së opozitës.

Kërcënimi me burg i opozitës që denoncoi skandalin “Xhafaj” është skandaloz, tipik për udhëheqësit autokratë dhe të inkriminuar.

Ne as nuk jemi trembur dhe as nuk tërhiqemi nga sulmet e një kryeministri që kërcënon me burg opozitën, por jo kriminelët dhe trafikantët e drogës!

Në emër të Partisë Demokratike, i siguroj shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë se ne do ta vazhdojmë edhe më fuqishëm betejën me krimin e organizuar dhe do të përballemi me të njëjtën forcë me qeverinë që punon për krimin e organizuar dhe jo për qytetarët e ndershëm të këtij vendi.