E Keqja dhe E Mira

Lëvizja Vetëvendosje ka hapur fushatën në Gjilan. Albin Kurti tha se Gjilani, në njërën anë e ka të keqen dhe të kaluarën, në anën tjetër e ka të mirën dhe të ardhmen.

Lajme

04/10/2013 18:28

Në hapjen e fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, Kryetari i saj Albin Kurti tha se fitorja e zgjedhjeve në këtë komunë do ta ndërpresë rrjetin e të korruptuarve të shpërndarë gjithandej nëpër Kosovë.

Ai kërkoi nga gjilanasit të votojnë kandidatin e saj Ismajl Kurteshin i cili ka qenë gjithmonë kundër kandidatëve të partive tjera që, sipas Kurtit, e kanë pranuar dhe miratuar pazaret e Vjenës, decentralizimin dhe gjymtimin e Gjilanit.

“Gjilani, në njërën anë e ka të keqen dhe të kaluarën, në anën tjetër e ka të mirën dhe të ardhmen. Njëri prej kandidatëve e ka pranuar dhe miratuar në pazaret e Vjenës decentralizimin dhe gjymtimin e Gjilanit, kurse kandidati tjetër e ka zbatuar këtë gjymtim të territorit të Gjilanit me ç’rast çereku i hapësirës së gjilanasve është tjetërsuar. Pra, këta janë bashkë. Në kontrast të thellë, në kundërthënie e antagonizëm, i keni këta dy kandidatë, me Ismajl Kurteshin, i cili gjithmonë e ka kundërshtuar decentralizimin”.

Kandidati i Vetëvendosjes për Kryetar të Gjilanit, Ismajl Kurteshi, premtoi se këtij qyteti do t’i largohen të këqijat dhe t’i kthehet zhvillimi ekonomik.

Ai prezantoi në pika të shkurtra Alternativën Qeverisëse të Vetëvendosjes për Gjilan, për qytetin ku me Vetëvendosjen puna shpërblehet, ndërsa mospuna ndëshkohet.

“Me Vetëvendosje, komuna do t’u vihet në shërbim qytetarëve, do tu jepet fund të këqijave që po na e zënë frymën, do të fillon zhvillimi ekonomik, përmes prodhimit vendor do të krijohen mundësi për punë”.