E kemi pasur vendimin për rrënim
Dardan Sejdiu thotë se Ramiz Kelmendi i ELKOSIT ka ndërtuar pa leje, prandaj është zbatuar ligji dhe i është rrënuar ndërtimi. Ai pohon se e kanë pasur vendimin dhe e kanë zbatuar atë. Akuzën e tij për haraç, e quan punë koti dhe e konsideron shpifje.

Lajme
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, thotë se me rrënimin e djeshëm të objektit në “Kodrën e Trimave”, pronë e Kompanisë Elkos të Ramiz Kelmendit, në fakt ka qenë vetëm zbatim i ligjit dhe nuk ka pasur të bëjë me ndonjë “telashe” në mes të Vetëvendosjes dhe Ramiz Kelmendit.
Duke folur për lajmi.net, Sejdiu ka deklaruar se ligji është ligj dhe ai do të zbatohet.
“Komuna e Prishtinës merret me zbatimin e ligjit. E kemi pasur vendimin dhe e kemi zbatuar vendimin. Dhe, nuk kemi kohë me u marrë me njerëz”.
“Ligji është ligj. Ne e zbatojmë ligjin. Le të merret ai me ato çka flet”.
Pronari i Elkos, Ramiz Kelmendi, i cili është Deputet i AAK’së në Kuvendin e Kosovës, gjatë ditës së djeshme ka akuzuar një anëtar të Vetëvendosjes për shantazh, duke thënë se ai ia ka kërkuar 250 mijë euro, ndërsa ka pohuar se rastin e ka paraqitur në Polici dhe Prokurori.
Dardan Sejdiu mendon se ai po shpif.
“Mendoj se ai nuk ka ndonjë argument tjetër dhe shpif. Dhe, ne nuk kemi çfarë të bëjmë”.
“Komuna e Prishtinës e ka pasur një vendim dhe kemi vepruar siç do të veprojmë me një vendim tjetër të tillë”.
Dardan Sejdiu thotë se ai nuk e njeh Avni Kastratin, personin të cilin Ramiz Kelmendi e kishte apostrofuar si njeri të Vetëvendosjes.
Sejdiu e quan këtë punë muhabet koti dhe thotë se nëse Kelmendi ka ndonjë pakënaqësi, ai duhet t’u drejtohet organeve të rendit.
“Nuk e di se kush është ai njeri, të them të drejtën”.
“Ramiz Kelmendi ka punë me Komunën e Prishtinës. Nuk ka punë me Vetëvendosjen”.
“Nëse ai ka diçka, do të thotë ka ndonjë kërkesë, ekziston Prokuroria, ekziston edhe Gjykata. Le t’i grahë udhës ai andej, e ne zbatojmë ligjin”.
“Është kot kjo farë punë. Është muhabet koti. Ka ndërtuar ilegalisht dhe tash duhet të thotë diçka”, thotë Dardan Sejdiu për lajmi.net.