E filloi me Xhakën, Mourinho merret personalisht për transferimin e mesfushorit të njohur

Trajneri i Romës, Jose Mourinho, po punon për të provuar dhe bindur Tanguy Ndombélé që të pranojë një lëvizje në kryeqytetin italian.

Sport

11/01/2022 21:20

Mesfushori francez 25-vjeçar është i destinuar të largohet së shpejti nga Tottenhami, me trajnerin Antonio Conte plotësisht të pakënaqur nga lojtari pas muajve të tij të parë në krye. Skuadra e Premier League po kërkon ta lëvizë atë në afatin kalimtar të këtij muaji.

Siç raportohet nga ‘Telefoot’, Mourinho personalisht foli me Ndombélé në telefon kohët e fundit për t’u përpjekur ta bindë atë për një lëvizje te Roma, duke besuar se francezi mund të jetë njeriu i përsosur për të përforcuar mesfushën e tij.

Tottenham e vlerëson mesfushorin 25-vjeçar me rreth 30 milionë euro, por ‘Giallorossi’ mund të kërkojnë një marrëveshje huazimi me një opsion blerjeje. Ata gjithashtu mund të kërkojnë transferimin në formë të disa ratave, një formulë e ngjashme u përdor për të nënshkruar me Tammy Abraham nga Chelsea.

25-vjeçari Ndombélé, i cili ka kontratë me Spurs deri në vitin 2025, ka bërë 16 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon, për një total prej 886 minutash. Në atë kohë ai ka shënuar dy gola dhe ka dhënë një asistim.

Kujtojmë që portugezi e kishte telefonuar edhe Granit Xhakën në verën e kalaur për ta bindur atë t’i bashkohet skuadrës italiane, mbase portugezi ia kishte arritur qëllimit, megjithatë ky transferim nuk u arrit për shkak të shifrës së transferimit. /Lajmi.net/