E dyshuar për korrupsion, nuk lejohet të hyjë në SHBA

Shefja e Autoritetit Tatimor të Hungarisë dhe pesë kolegë të saj janë ndaluar të hyjnë në Shtetet e Bashkuara për shkak të dyshimeve se janë të korruptuar, ose përfitojnë nga korrupsioni.

Bota

05/11/2014 14:32

Lajmin e ka bërë të ditur vet shefja e Autoritetit Tatimor të Hungarisë, Ildiko Vida për një gazetë hungareze, duke mohuar përfshirjen e saj në afera korruptive, raporton Reuters, transmeton lajmi.net.  

“Unë nuk kam bërë asgjë. Nuk jam e përfshirë në asnjë rast të korrupsionit dhe jam e gatshme për tu përballur me drejtësinë”, ka thënë Vida, duke shtuar se nuk e ka ndërmend të jep dorëheqje.

Ndalimi i udhëtimit të zyrtarëve hungarez nga autoritetet në Uashington vjen në kohën kur janë përkeqësuar marrëdhëniet e qeverisë së kryeministrit Viktor Orban nga njëra anë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian nga ana tjetër.

Sipas Reuters, marrëdhëniet janë përkeqësuar për shkak të autoritarizmit të shtuar të kryeministrit Orban në Hungari, si dhe të qëndrimit zyrtar të Budapestit ndaj krizës në Ukrainë.

Disa ministra në qeverinë e Orban, e qendrës së djathtë, kanë mohuar se kanë njohuri për përmbajtjen e akuzave të bëra kundër gjashtë njerëzve të futur në listën e zezë nga Uashingtoni, mirëpo Vida, pa pranuar të jep emrat, ka thënë se përveç pesë kolegëve të saj, në këtë listë është edhe një zyrtar i qeverisë.

I ngarkuari me Punë në ambasadën amerikane në Budapest, Andre Goodfriend, ka deklaruar se korrupsioni është një shenjë e dobësimit të institucioneve demokratike të Hungarisë, ndërsa ndalimi i zyrtarëve tatimor hungarez për të vizituar Shtetet e Bashkuara, sipas tij, është një  paralajmërim i Uashingtonit për Budapestin se është duke kërcënuara vlerat demokratike.