E dinë, por nuk duan t’ia dinë
Mbi 90% e banorëve në pjesën veriore të Kosovës janë të informuar në lidhje me zgjedhjet e 3 nëntorit, por vetëm 16 për qind e tyre pritet ta shfrytëzojnë këtë të drejtë.

Lajme
Banorët serbë të veriut të Mitrovicës e dinë se më 3 nëntor, Kosova do t’i mbajë zgjedhjet lokale dhe se edhe ata janë të ftuar të dalin para kutive të votimit.
Mbi 90 përqind e respondentëve në një hulumtim të bërë nga UNDP janë përgjigjur se e dinë që zgjedhjet mbahen të dielën e parë të nëntorit, por është shumë i vogël numri i atyre që tashmë e kanë ndarë mendjen të dalin e të votojnë.
UNDP thotë se edhe pse marrëveshja e arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel është arritur në një periudhë relativisht të shkurtër kohore, të dyja palët kanë treguar “shkallë të lartë të kompetencës në përgatitje të zgjedhje”.
Mytaher Haskuka nga UNDP tha se ky sondazh i ndihmon procesit të zgjedhjeve dhe se numri i votuesve që do të dalin “është i kënaqshëm duke marrë parasysh rrethanat në atë pjesë”.
Hulumtimi nxjerr përfundimin se 16.5 përqind e qytetarëve të komunave veriore të Kosovës do të dalin në zgjedhje. Ky hulumtim ka përfshirë 400 persona të intervistuar sy më sy në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq.
“Kjo analizë pretendon t’i ndihmojë procesit të zgjedhjeve në tërësi por dhe proceseve zhvillimore në përgjithësi”.
“Shumica e qytetarëve kanë njohuri për kandidatët për kryetar komunash që do të garojnë në këto zgjedhje të nëntorit. Megjithatë, rreth 47 % e respondentëve kanë deklaruar se nuk e dinë kush janë këta kandidatë dhe pjesa tjetër nuk janë të sigurtë nëse i dinë”.
“Megjithë faktin që rreth 45 % e respondentëve kanë thënë që definitivisht nuk do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme, numri i atyre të cilët do të votojnë, ndoshta do të votojnë ose s’kanë vendosur ende është i kënaqshëm duke pasur ndjeshmërinë politike dhe rrethanat në atë pjesë”.
“Nga ata që do të votojnë janë deklaruar se 69% nga ta e dinë vendvotimin, 23% nuk janë të sigurtë dhe rreth 8% nuk e dinë fare”, ka thënë Haskuka.
Shumica e veriut të Ibrit informohen nga televizionet serbe dhe njëkohësisht kanë potencuar se i besojnë atyre.