E bën zyrtare kërkesën për rivotim

PDK zyrtarizon kërkesën për rivotim në Mitrovicë. Avni Kastrati prezantoi fakte që, sipas tij, flasin për keqpërdorime nga ana e kandidatit të AKR’së për Kryetar të Komunës, Agim Bahtiri.

Lajme

03/12/2013 20:23

Partia Demokratike e Kosovës në Mitrovicë, ka prezantuar të martën para gazetarëve fakte që dëshmojnë për, siç kanë thënë, falsifikim dhe vjedhje votash ditën e balotazhit nga AKR’ja dhe LDK’ja për kandidatin Agim Bahtiri, si dhe dëshmi për aktivizimin e formës së vjedhjes dhe blerjes së votës nëpërmjet të ashtuquajturit “Treni bullgar”.

Kjo ka shtyrë përfaqësues të PDK-së në Mitrovicë të kërkojnë që zgjedhjet në këtë qytet të përsëriten.

Siç raporton Kosovapress, Rasim Veseli, shef i shtabit zgjedhor të PDK’së në Mitrovicë, tha se Partia Demokratike e Kosovës ka bërë ankesë në PZAP për shumë parregullsi që kanë ndodhur të dielën gjatë procesit të votimit.

Sipas tij, qysh në mëngjes ka filluar një presion i jashtëzakonshëm i aktivistëve të AKR-së dhe partive tjera opozitare, përmes qarkullimit të personave dhe automjeteve afër qendrave të votimit, përmes bartjes së votuesve dhe kërkesës që të votohet AKR’ja.

Ai bëri të ditur se është lajmëruar policia për rreth 50 raste të qarkullimit të automjeteve dhe presionit ndaj votuesve.

“Pas kësaj, kanë ndodhur arrestimet, që do të thotë se e vërtetojnë faktin se ka pasur presion ndaj votuesve, me ç’rast janë arrestuar së paku katër aktivistë të AKR-së, njërit prej të cilëve i është gjetur edhe arma, që nënkupton se përveç presionit psikologjik, kanë qenë të përgatitur edhe për gjëra tjera. Pastaj ka pasur në mënyrë të organizuar persona të paautorizuar nëpër qendrat e votimit, me ç’rast një aktivist i AKR-së është identifikuar nga policia me ID falco, dhe ne një gjë të tillë e kemi lajmëruar si dukuri nëpër shumë vende”, ka thënë mes tjerash Veseli.

Më e rëndësishme, shtoi ai, që ka qenë edhe bazë për ankesën tonë, është fletvotimmi i gjetur i falsifikuar në një vendvotim në shkollën “Abdullah Shabani”, i cili e vërteton dyshimin se në këto zgjedhje ka pasur blerje sistematike të votave, përkatësisht është aplikuar forma e vjedhjes dhe blerjes së votës nëpërmjet “Trenit bullgar”.

Ai ka prezantuar përmes pamjeve materiale të shumta për parregullsi të ndryshme, ndërsa ka thënë se dyshohet edhe për fletëvotime tjera falco nëpër qendra tjera të votimit.

Sipas tij, për një punë të tillë sistematike, ka pasur edhe organizim sistematik, i cili e ka adresën, që quhet, kryetari i AKR’së në Mitrovicë, Bislim Imeri me bashkëpunëtorë, pastaj kryetari i LDK’-së, Sadri Ferati, po ashtu me bashkëpunëtorët e tij, si dhe vetë kandidati për kryetar komune, Agim Bahtiri.

Veseli ka sjellë edhe fakte tjera ku dëshmohet se në një vendvotim, numri i votuesve është më i madh sesa numri i fletëvotimeve, për çka siç tha ai, nuk dihet fati i fletëvotimeve.

“Këto janë disa nga faktet të cilat i kemi hulumtuar pasi janë shpallur rezultatet preliminare në faqen zyrtare të KQZ-së, ndërsa jemi në proces të gjetjes së shumë fakteve tjera. Deri tani në PZAP kemi dërguar tre ankesa dhe presim një përgjigje pozitive nga PZAP-ja, ndërkaq kërkesa jonë është që Mitrovica të shkoj në rivotim.

Në anën tjetër, kandidati për kryetar komune, Avni Kastrati, tha se pas krejt kësaj që u prezantua, qytetarët e Mitrovicës, por edhe të Kosovës në përgjithësi, e kanë të qartë pse rezultati në Mitrovicë ka qenë i papritur.

“Jam i bindur se organet e hetuesisë dhe organet tjera përgjegjëse do të kryejnë punën e tyre, andaj ne nuk mund t’i pranojmë këto rezultate derisa të përfundojnë procedurat, dhe pasi të merren vendimet nga organet gjegjëse të Republikës së Kosovës, natyrisht ne jemi ata që do të jemi shumë korrespondues”, ka thënë Kastrati.

Ai ka përsëritur se qytetarët pas krejt kësaj që u prezantua këtu, kanë hequr dilemat e tyre për rezultatin e befasishëm në Mitrovicë. (Kosovapress)