Dyshon në vendimet Thaçit
Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, thotë se diçka po fshihet prapa vendimeve të fundit të kryeministrit Thaçi. Sipas tij, qeveria e Thaçit është në rënie të lirë dhe se Kosova nuk do të bëhet me ushtri deri në vitin 2024.
Lajme
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dyshon se ka diçka që fshihet prapa vendimeve të fundit të Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Rritja e rrogave për punëtorët që paguhen nga buxheti i Kosovës, themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, nxjerrja e vendimit për dhënien e 20 përqindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuara janë tri vendimet të cilat Kryeministri i Kosovës i ka nxjerrë ditëve të fundit.
Sido që të jetë, ai nuk ka mundur të specifikojë se çka fshihet prapa këtyre vendimeve
“Qeveria Thaçi mundet me qenë më e dëmshme për Kosovën në këto ditët e fundit, sepse tash ata vetëm për me nxjerrë karta zgjedhore- pasi që janë në rënie të lirë- nuk po përtojnë çkado që kërkohet prej tyre vetëm për të arritur te karta zgjedhore”, tha Haradinaj sot në një konferencë për shtyp.
“Ata e kanë gojën plot me sllogane. Ministri (i FSK’së) dhe Kryeministri japin karta për zgjedhje, kinse po e bëjnë ushtrinë. Në fakt ata po e bijnë një vendim që është i vështirë të zbatohet në praktikë dhe tepër i ngadalshëm”.
“Në të njëjtën kohë, ata po provojnë që me këtë lajm të mirë t’i kryejnë edhe disa punë tjera, jo vetëm ulëset e rezervuara”.
“Ka edhe diçka tjetër në paketë që po provohet të përmbyllet me këtë etapë. Me siguri, kur ta dinë të gjithë do ta di edhe unë, por unë besoj se nuk janë vetëm këto dy pjesë”.
Haradinaj thotë se pavarësisht se vendimi për themelimin e FAK është marrë në muajt e fundit të mandatit qeverisës, Kosova do të bëhet me ushtri në një periudhë shumë të gjatë nga këtu.
“Nëse e shihni rrugën deri kur bëhet Kosova me FAK, imagjinojeni shkon deri në vitin 2024”, ka thënë ai.