Dyshohet se e theri me thikë të fejuarën në Fushë Kosovë, ushtari i FSK-së gjendet në ndalim policor

Policia e Kosovës të dielën raportoi për një rast të rëndë që ka ndodhur më 29 nëntor në Fushë Kosovë. Atje u arrestua një i dyshuar i cili e e kishte therur me thikë të fejuarën e tij. Siç është mësuar i dyshuari i cili sulmoi të fejuarën e tij, është pjesëtar i Forcës dhe…

Lajme

02/12/2025 16:14

Policia e Kosovës të dielën raportoi për një rast të rëndë që ka ndodhur më 29 nëntor në Fushë Kosovë.

Atje u arrestua një i dyshuar i cili e e kishte therur me thikë të fejuarën e tij.

Siç është mësuar i dyshuari i cili sulmoi të fejuarën e tij, është pjesëtar i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës.

Rastin për lajmi.net, e ka konfirmuar vetë FSK-ja. Këta të fundit kanë bërë të ditur se janë njoftuar për ngjarjen, dhe do të ndërmarrin të gjitha veprimet bazuar në rregulloret në fuqi.

“Ju njoftojmë se personi në fjalë është pjesëtarë i FSK-së, dhe ndodhet në ndalim policor, FSK është njoftuar për rastin dhe do të ndërmarr masat bazuar në aktet ligjore dhe rregulloret në fuqi”, thuhet në përgjigjen e FSK-së për lajmi.net.

Policia e Kosovës në raportin 24-orësh të së dielës, tregoi detaje për këtë ngjarje.

“Fushë Kosovë / 29.11.2025-07:45. Njësitet policore pas pranimit të informatës lidhur me rastin, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë takuar viktimën f/k, e cila dyshohet se kishte pësuar lëndime me mjete të mprehta. Viktima pas tretmanit fillestar mjekësor në QKMF, është dërguar në QKUK dhe i është nënshtruar operimit për shkak të gjendjes kritike të saj. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari m/k-i fejuari i saj me të cilin ishte duke bashkëjetuar, nën dyshimin se i njëjti është i përfshirë në rast”, njoftoi Policia e Kosovës.

Po ashtu ditën e djeshme, Prokuroria Themelore në Prishtinë bëri të ditur se ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarin.

“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore ndaj personit i cili dyshohet se ka sulmuar të fejuarën e tij dhe për të cilin ekziston dyshimi se ka kryer veprën penale ”Vrasje e rëndë në tentativë”, në bazë të nenit 173 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, ka paraqitur kërkesën në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Ndryshe raportohet se gjendja e viktimës pas pesë ditësh në Mjekim Intensiv është stabile dhe se është transferuar në Kirurgjinë Abdominale.

Organet e rendit kishin bërë të ditur se ishte arrestuar i dyshuari pas kryerjes së aktit.

Ndërkohë, njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar një mjet të mprehtë-thikë, e cila dyshohet se është përdorur në rast.

Ndërkaq detaje të tjera për këtë rast ende nuk dihen, megjithatë Prokuroria e Policia po i vazhdojnë hetimet. /Lajmi.net/