Dyshimet për varr masiv çojnë në shpellë të Radishës

E plotësuar: Shefi i Departamentit për Mjekësi Ligjore në Kosovë, Arsim Gërxhaliu ka deklaruar për lajmi.net se ekszitojnë dyshimet se mund të ketë varr masiv në Gjakovë, në një shpellë në fshatin Radishë. Ai ka thënë se ndodhet në vendin e ngjarjes, se janë parë pjesë kockore, porse sipas tij, ekziston dilema nëse ato janë të njerëzve apo të kafshëve.

Lajme

16/05/2014 09:36

Gërxhaliu ka thënë se për të pasur më shumë detaje duhet të pritet një fotografi më e qartë, të merren nga shpella pjesët e gjetura kockore dhe të bëhet verifikimi i tyre në Departamentin e Mjekësisë Ligjore.

 “Është një shpellë e thellë në të cilën ka pjesë kockore, por, në fotografitë preliminare nuk duket qartë se a janë të njeriut apo të kafshëve. Në ndërkohë, ekspertët e EULEX-it janë në kontakt me ekipin e tyre dhe me ekipet vendore, Policinë e Krimeve të Luftës dhe Prokurorinë”.

“I presim fotografitë e qarta apo në qoftë se mund t’i marrim pjesët kockore, do t’i sjellim në Departament dhe atëherë do të jeni të njoftuar se për çfarë bëhet fjalë”, ka thënë Gërxhaliu.

Në anën tjetër, dyshimin për varr masiv e kanë konfirmuar edhe autoritetet qeveritare.

Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit për të Pagjetur ka thënë për lajmi.net se vendi ku po dyshohet për varrezë masive është pjesë e Hasit të Gjakovës, konkretisht fshati Radishë.

“Informacionet janë që në një shpellë atje, në fshatin Radishë, janë hetuar disa mbetje (eshtra). Tani ekipet e nevojshme kanë shkuar atje dhe po përpiqen të kuptojnë nëse eshtrat janë të njerëzve”.

——————————————————

EULEX konfirmon, ka dyshime për një varrezë masive në rajonin e Gjakovës

Burime të lajmi.net bëjnë të ditur se në rajonin e Gjakovës janë gjetur mbetje mortore ku dyshohet se mund të ketë varrezë masive. Prokuroria Speciale bashkë me Policinë e EULEX-it dhe Policinë e Kosovës janë duke e bërë një shqyrtim preliminar të atij lokacioni.

Një zyrtarë i lartë në institucionet e drejtësisë ka thënë për lajmi.net se ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për varrezë masive apo vetëm mbetje mortore.

Ekipet verifikuese janë në terren dhe gjatë ditës do t’ju informojmë për më shumë detaje.

Shefi i Mjekësisë Ligjore në Kosovë, Arsim Gërxhaliu ka thënë se ende nuk është informuar për këtë gjë.

Por zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, ka deklaruar për lajmi.net se po verifikohen të dhënat për dyshimet e ngritura dhe mundësinë e një varreze masive në rajonin e Gjakovës.

“Një prokuror ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), së bashku me Policinë e EULEX-it dhe Policinë së Kosovës, janë duke zhvilluar një shqyrtim preliminar të një zone pranë Gjakovës. Ky shqyrtim është duke u kryer pas një raporti të dorëzuar ku është ngritë dyshimi se zona mund të përmbaj mbetje mortore të njerëzve. Shqyrtim është në vazhdim e sipër dhe ende nuk është përcaktuar se çka përmban kjo zonë”, ka thënë Krasniqi.