Dyndje e refugjatëve sirianë në Shqipëri (video)

Policia kufitare e Shqipërisë në Gjirokastër ka ndaluar në afërsi të kufirit të gjelbër me Greqinë pranë fshatit Radat, 80 klandestinë sirianë mes të cilëve 2 gra dhe 2 fëmijë. 

Lajme

06/11/2014 16:01

Sipas policisë ata hynë ilegalisht në Shqipëri nga Greqia me destinacion Malin e Zi. Klandestinët ju kanë deklaruar autoriteteve lodhje dhe refuzim për t`u kthyer pas.

Situata e tyre emocionale duket gjithashtu e rënduar. Mes të ndaluarve nga policia, shumica janë studentë, disa inxhinierë, profesorë, punonjës të shëndetësisë etj. Ahmad Hameel ishte student inxhinierie në një nga universitetet më të njohura në Siri ne qytetin e Alepos.

“Unë dua te iki në Gjermani. Unë jam student dhe doja që të vazhdoja studimet atje dhe të rindërtoja të ardhmen në një vend të qetë. Familja ime është në Siri, në Alepo. Prindërit e mi janë të moshuar dhe ata nuk mund të lëvizin e të ecin me këmbë si unë. Ne i kërkuam policisë tuaj të mos na kthejnë pas në Greqi. Nuk kemi asnjë të ardhme atje. Gjërat nuk janë fare mirë atje. Nuk mund të punoj nuk mund të vazhdoj studimet e mia nuk mund të jetoj’, thotë Hameel.

Një tjetër student i masterit në teknologji informacioni shpjegon rreth situatës së klandestinëve sirianë që po i drejtohen Europës.

“Gjendem këtu bashkë me gjithë të tjetër për shkak të situatës së rëndë në vendin tonë. Në Siri ne nuk mund të jetojmë sepse është një luftë e madhe. U nisëm nga Siria 3 muaj më parë dhe kaluam përmes Libanit në Turqi. Në Greqi dhe tani në Shqipëri”, tha Maher Kishkia.

Pyetjes se kush i drejton në këtë udhëtim, Maher i përgjigjet duke thënë se një shoku i tij mundi të shkojë deri në Mal të Zi dhe i tregoi rrugën.

“Nuk ka jetë në Greqi. Është një vend i keq sepse nuk ka as punë as mundësi për studime. Të gjithë njerëzit këtu janë studentë apo punonjës të specializuar. Unë jam student i masterit në teknologji informacioni”, thotë Maher Kishkia.

Mjedisi i pritjes së përkohshme të klandestinëve në pikëkalimin kufitar të Kakavijes nuk ka qenë i planifikuar për shifra të tilla klandestinësh. Shumica e tyre enden në oborrin jashtë godinës në pritje të intervistimit prej policisë dhe procedurave të kthimit pas tek policia greke. Drama e sirianë që enden në kufirin me Greqinë vijon prej një viti, rreth 700 persona janë kapur nga policia ndërsa flitet se të tjerë kanë mundur të hyjnë më në thellësi të territorit. / Top Channel/