Dyfishohen ditët me temperatura 50 gradë Celcius

Numri i ditëve jashtëzakonisht të nxehta, kur temperaturat arrijnë 50 C është dyfishuar që nga vitet 1980. Në një studim të medias britanike BBC, thuhet gjithashtu se ditët e nxehta ndodhin tani në më shumë zona të botës se më parë, duke paraqitur sfida të pashembullta për shëndetin e njeriut dhe mënyrën se si jetojmë.

Bota

14/09/2021 14:45

Llogaritjet tregojnë se në periudhën mes viteve 1980-2009, temperaturat 50 gradë Celcius kanë zgjatur mesatarisht 14 ditë nëpër rajone të ndryshme të globit. Numri i tyre është rritur në 26 ditë në vit midis 2010 dhe 2019.

“Rritja mund t’i atribuohet 100% djegies së lëndëve djegëse fosile,” thotë Dr Friederike Otto, drejtor i asociuar i Institutit të Ndryshimit të Mjedisit në Universitetin e Oksfordit.

Nxehtësia e lartë mund të jetë vdekjeprurëse për njerëzit dhe natyrën, dhe mund të shkaktojë probleme të mëdha në ndërtesa, rrugë dhe sisteme energjetike.

Temperaturat prej 50 °C ndodhin kryesisht në Lindjen e Mesme dhe rajonet e Gjirit. Ndërsa pas temperaturave rekord prej 48.8C në Itali dhe 49.6C në Kanada këtë verë, shkencëtarët kanë paralajmëruar se ditët me temperatura mbi 50C do të ndodhin edhe në vende të tjera të botës, nëse nuk ulim çlirimin e dioksidit të karbonit nga djegia e karburanteve.

“Ne duhet të veprojmë shpejt. Sa më shpejt të ulim emetimet tona, aq më mirë do të jemi të gjithë,” thotë Dr Sihan Li, një studiues i klimës në Shkollën e Gjeografisë dhe Mjedisit në Universitetin e Oksfordit.