Të Infektuar: 1110

Të Shëruar: 843

Të Vdekur: 30

Dy viktima të tjera nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut

20:46 | 5 Prill 2020

Dy persona të vdekur dhe 72 të infektuar të rinj janë rezultati i 24 orëve të fundit. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe informoi se njëri pacient ka ndërruar jetë në Klinikën e sëmundjeve infektive në Shkup, me pasqyrë të rëndë klinike, i moshës 63 vjeç nga rrethina e Strugës, ndërsa tjetri ka ndërruar jetë në Klinikën 8 Shtatori me test pozitiv postmortum. Për momentin në klinikën në Shkup po trajtohen 74 pacientë.

“Për momentin janë të hospitalizuar 74 pacientë, 15 janë me formë të rëndë të manifestimit të sëmundjes, pacientët tjerë janë me formë mesatarisht të rëndë dhe në gjendje të përgjithshme të mirë. Duke pasur parasysh që rritet trendi i të sëmurëve, krahas faktit që 80% e të sëmurëve kalojnë me pasqyrë të lehtë klinike një pjesë e mirë në përputhje me informatat dhe publikimet edhe pse josimptomatikisht është patjetër të hospitalizohen”, tha ministri i Shëndetësisë.

Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve të rinj, pritet që gjatë ditës së nesërme, nga ana e Komisionit për sëmundje infektive, t’i jepen propozime qeverisë për përforcimin e masave kundër virusit korona.

“Është e mundur të propozojmë përforcim të masave për parandalim të përhapjes së mëtejshme të virusit. Numri i të sëmurëve në ditët dhe javët që janë para nesh do të rritet, ende vazhdojnë të vlejnë parashikimet se piku i sëmundjes do të jetë në fund të muajit Prill dhe presim rreth 2 mijë pacientë”.

Për momentin, Kumanova ka numrin më të madh të të sëmurëve, por ende bëhen vlerësime për lidhjen e infeksionit me një grumbull të caktuar atje. Sipas ministrit Filipçe, është motivues fakti që personat e infektuar kanë qenë në vetëizolim, kjo do të thotë nuk kanë qenë në kontakt me persona të tjerë.

Në konferencën e sotme me gazetarë, përveç ministrit, edhe kryetari i Komisionit për Mbrojtje nga Sëmundjet Infektive, Zharko Karaxhoski, u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë masat dhe të jenë lojtari i 12-të.