Dy senatorët amerikanë që bashkuan republikanët e demokratët për intervenimin e NATO-s në Kosovë

Kongresisti amerikan dhe miku i madh i popullit të Kosovës Eliot Engel ka bërë sot një shkrim në revistën amerikane “The Hill” sa i përket intervenimit të NATO’s në Kosovë.

Lajme

24/03/2019 23:28

Eliot Engel flet për marsin e vitit 1999, dyke theksuar faktin se intervenimi i NATOls ka ndaluar spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës, spastrim ky që po udhëhiqej nga presidenti serb Sllobodan Millosheviq.

“Millosheviqi në vitin 1998 e filloi luftën e tij të katërt brenda Jugosllavisë, këtë herë duke pretenduar se ekziston ‘problemi shqiptarë’, dhe përdori forcën e ushtrisë së tij për të larguar 60% të popullsisë së Kosovës nga vendi, shumica e tyre shkuan në Shqipëri dhe Maqedoni”.

Gjithashtu Eliot Engel nuk e lë pa e përmendur edhe rolin e komunitetit shqiptarë në Amerikë, ku thotë se ata kanë pasur një rol të veçantë në bindjen e popullit dhe qeverisë amerikane se në Kosovë, Serbia po kryente krime.

“Shqiptaro-Amerikanët hapën zyrën e tyre në Uashington D.C, u organizuan dhe filluan të krijonin lidhje dhe krijuan shumë peticione për qeverinë që kjo e fundit të bëjë diçka për t’i ndaluar vrasjet dhe përdhunimet në Kosovë”, shkruan Engel.

Kongresisti amerikan në shkrimin e tij gjithashtu vlerëson edhe faktin se sa shumë ndihmuan senatorët amerikanë në bashkimin e dy partive politike për kauzën e Kosovës.

“Tensionet mes partive politike ishin të larta pasi që tentimi për ta rrëzuar Bill Clintonin sapo kishte ndodhur. Por senatori republikan Mitch McConnell dhe ai demokrat Joe Biden, punuan së bashku me kolegë të tjerë që të dyja partitë të bashkohen për intervenimin në Kosovë”, citohet Engel për gazetën “The Hill”, transmeton Express.

Gjithsesi Engel thotë se sapo u kuptua se në Kosovë po ndodhnin vrasje masive dhe spastrim etnik, u bashkuam të gjithë për ta ndihmuar atë.

“Ndihma e dyanshme e Kongresit për intervenim ka qenë edhe në interesin tonë kombëtarë, ndërsa Presidenti Clinton e përfundoi me sukses punën e tij për t’i bindur edhe aleatët e tjerë’.

Engel e përfundon shkrimin e tij duke treguar se po të mos ishte bashkimi i dy partive amerikane në vitin 1999, sot Ballkani me gjasë nuk do të ishte në paqe.