Dy pulla postare për Ferizajn me xhaminë e kishën (Foto)

Posta e Kosovës ka emetuar dy pulla postare me imazhe nga qyteti i Ferizajt. Ato veçojnë disa segmente që e karakterizojnë Ferizajn, si: tolerancën fetare përmes pamjes së Xhamisë së Madhe dhe Kishës Ortodokse të vendosur në një hapësirë, hotelerinë, si dhe fenomenin natyror - bifurkacionin e lumit Nerodim

Lajme

19/01/2017 15:30

“Qyteti Ferizaj gjendet në pjesën jugore të Republikës së Kosovës, në një hapësirë prej 344 kilometra katrorë. Shtrihet në luginën e malit Sharr, në lartësi mbidetare prej 573 metra. Fillimisht ishte një vendbanim i vogël. Në vitin 1873, me funksionalizimin e hekurudhës që në atë kohë lidhte këto troje me Selanikun, fillon zhvillimi i hovshëm i këtij vendi. Emërtimin e sotëm e mori nga pronari i bujtinës së parë të ndërtuar, Feriz Shasivari”.

Tutje Posta e Koosvë, duke ju referuar pozitës së qytetit, thotë se ky qytet shquhet për raritetin natyror – bifurkacionin (bigëzimin) e lumit Nerodime dhe se degëzimi i këtij lumi në dy degë kryesore, me ndihmën e lumenjve të tjerë nga ana e majtë e mundëson derdhjen e ujit në Detin e Zi, ndërsa nga ana e djathtë në Detin Egje.

“Filatelia e Kosovës, përmes pamjeve të pullave postare dhe produkteve filatelike, vazhdon të promovojë vlerat dhe trashëgiminë e Republikës së Kosovës”.

Këto pulla postare mund t’i gjenden në zyrat postare të Postës së Kosovës. /Lajmi.net