Dy operacione policore, tetë në pranga

Policia arreston 7 persona për dyshimin për kontrabandë me emigrantë dhe falsifikim dokumentesh dhe një tjetër për posedim të 6.6 kilogramëve marihuanë.

Lajme

24/10/2013 13:45

Shtatë persona janë arrestuar për kontrabandë me emigrantë dhe falsifikim dokumentesh dhe një tjetër për posedim narkotikësh në dy operacione të ndara të policisë në 24 orët e fundit, kanë bërë të ditur zyrtarë policorë.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka thënë në një konferencë për shtyp se operacioni për arrestimin e shtatë të dyshuarve është zhvilluar në rajonet e Gjilanit dhe Prishtinës. Ai ka thënë se ky operacion mund të zgjerohet edhe më tutje.

“Gjatë bastisjes së realizuar në shtatë lokacione, përveç arrestimit të 7 personave janë gjetur edhe dy punëtori që kanë shërbyer për prodhimin dhe fabrikimin e dokumenteve të ndryshme”.

“Këto punëtori janë marrë kryesisht me falsifikimin e pasaportave, vizave, certifikatave dhe formularëve të ndryshëm të cilët kanë shërbyer në procesin e kontrabandimit të emigrantëve”.

“Ky operacion është ende në vazhdim nga Policia e Kosovës e që pritet të ketë edhe rezultate tjera konkrete që ndërlidhen me të njëjtën vepër penale”, ka thënë Kelani.

Në operacionin e dytë, ai tha se një personi i është gjetur në posedim një sasi prej 6.6 kilogramësh marihuanë në pikë kufitare nga një shtetas boshnjak me inicialet M.R., që e kishte fshehur subtancën narkotike në brendi të veturës.

“Ky rast ka ndodhur në pikëkalimin kufitar të Kullës kur një automjet i tipit Golf 2 ka tentuar ta kalojë këtë pikë kufitare”.

“Zyrtarët policorë dhe të doganës kanë ardhur deri te informacioni i dyshuar i bazuar se mund të posedojnë substancë narkotike gjatë kontrollit të këtij automjeti i cili ka qenë me targa të Bosnjës”

“Me urdhër të prokurorit përkatës ky person është ndaluar për dyshimin e bazuar të kryerjes së veprës penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve”, ka thënë Baki Kelani.