Dy mësime pas katër palë gabime

Janë dy mësime kryesore të zhvillimeve pas 6 tetorit. Sistemi zgjedhor duhet të ndryshojë, Presidenti duhet të votohet nga qytetarët.

Opinion

03/01/2020 09:54

Blerim Shala

Ditët e fundit të secilit fundvit, janë plot ngarendje, gjallëri, vrap, për ta përmbyllur sa më mirë që është e mundur një vit, për tu përgatitur për festë, për tu bërë gati për të qenë të lumtur. Se kështu e do periudha e ndërrimit të moteve.

Ta merr mendja, nga kjo perspektiva e jonë kosovare, që të gjithë ne, në atë dhjetëditëshin e mbramë të dhjetorit, jemi në një loj fushate parazgjedhore, dhe që mesnata që bashkon dy vite, do të ofrojë një fillim të ri, një jetë të re, në trajtë të ‘rezultateve’ të menjëhershme, duke nisë nga janari i vitit të ri, të cilat na shfaqen me të mira të gjithëfarshme.

Krejt çka kemi bërë që ky fillim të ri të na vi neve, ishte shprehja e dëshirës.

Kjo ta rikujton atë lojën e llotos. Të gjithë do të luajmë. Të gjithë do ta shprehim dëshirën. Me teorinë e rastësisë, numrat e thjeshtë të dikujt të lloto do të bëhen fjalëkalim për një ndryshim rrënjësor të jetës.

Në praktikën e rastësisë, në jetë, dikujt do t’i buzëqesh fati dhe jeta e tij njëmend do të ndryshojë.

Por jeta e rëndomtë, është tjetërfare, dhe ajo njeh një ndërlidhje të logjikshme, në mes të përpjekjeve të vazhdueshme, vullnetit të madh, dijes dhe përvojës së mbledhur me vite apo edhe me decenie, dhe ndryshimit në jetën e secilit prej nesh.

Në rastin e fatit kolektiv, të gjithë një populli apo të një shoqërie, kjo rrjedhë është edhe më e qartë, më e fuqishme, më e qëndrueshme.

Sidoqoftë, ditët e parë të vitit të ri, si për secilin prej nesh, ashtu edhe për një shoqëri, ecin disi ngadalë, ende jemi me pasojat e kremtës dhe argëtimit, akoma nuk na janë hapur mirë sytë, nuk dimë çka na pret. Dëshirat i kemi depozituar, dhe kaq është puna.

Individi, këtë e dimë të gjithë ne, mëson nga përvoja, bëhet më i ditur, më i shkathtë, më i mençur. Ta zëmë, ai nuk i bie më rrugës në të cilën ky kishte pësuar keq. Ai i shmanget kësaj rruge, dhe gjenë të tjera.

Kështu do të duhej të ishte edhe me një shoqëri, me një popull.

Mezi gjetëm ne, si shqiptarët e Kosovës, rrugën e duhur, tridhjetë vjet më parë, pas gjithë atyre pësimeve në histori për shekuj të tërë.

Megjithatë, në rrethanat e viteve të fundit, po na ndodhë që nuk po mbushemi mend, edhe pse po mbledhim përvojë sa të duash, apo, ajo përllogaritja e pësimeve dhe gabimeve tona veç po rritet, natyrisht, në dëm të të gjithë neve.

Kjo u kuptua edhe në vjeshtën e kaluar politike, pas ditës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Ka mësime sa të duash prej këtyre zgjedhjeve. Madje, këto janë të njejtat, që nga zgjedhjet e vitit 2010-të, e këndej, në katër palë zgjedhje të njëpasnjëshme.

Vështirë do të ishte të gjesh një qytetar të Kosovës i cili i bie të njejtës rrugë katër herë rresht, edhe pse është dëmtuar në secilën prej tyre. Dihet se si do të kualifikohej prej miqve dhe familjarëve të tij ky qytetar, po t’i bënte katër herë gabimet e njejta.

Çfarë kemi parë dhe përjetuar pra, pas 6 tetorit e tutje, na i rikthen pra, pas pësimeve evidente, mësimet e njejta të cilat ne, me gjasë, nuk po duam t’i bëjmë qëndrime dhe vendime të reja politike, të cilat një herë e mirë do ta shmangnin këtë udhën e përplasjeve të zakonshme.

Kështu, edhe një herë, si në tri rastet e kaluara, të gjithë ne kemi marrë vesh që Sistemi aktual zgjedhor, me Kosovën si një Zonë zgjedhore dhe me Listat e hapura, është burimi kryesor i ndërlikimeve pas ditës së votimit.

Rendi do të ishte pra që të ndërmirren të gjitha veprimet e duhura, që në pranverën e këtij viti të bëhet Reforma e Sistemit zgjedhor, dhe që tash e tutje, i gjithë procesi të jetë më i thjeshtë, të kryhet brenda pak ditëve pas mbajtjes së zgjedhjeve, dhe që të mundësojë krijimin e shpejtë të Qeverisë, jo më larg se një muaj pas zgjedhjeve.

Pengesa e dytë e madhe e stabilizimit afatgjatë të politikës kosovare  (në këtë dimensionin kushtetues, ligjor), është mënyra e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.

Zgjedhja e tij do të duhej t’i shmangej negociatave parlamentare. Në këtë mënyrë, do të bëhej një lloj i shkarkimit të presionit politik, apo, gjithçka do të varej nga vullneti i qytetarëve të Kosovës, sepse Presidenti do të zgjedhej në mënyrë të drejtpëdrejtë.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)