Dy masakra në dy vjet e gjysmë: Mali i Zi injoroi thirrjet për kontroll të rreptë të armëve

Për dy vjet e gjysmë, dy vrasje masive në Cetinje të Malit të Zi. Në gusht të vitit 2022, Vuk Borilloviq vrau 10 persona, përfshirë dy fëmijë, Marko dhe Mashan, dhe plagosi gjashtë të tjerë me një pushkë gjuetie, për të cilën kishte leje. Më 1 janar të vitit 2025, Aco Martinoviq, duke përdorur armë…

Lajme

12/01/2025 11:16

Për dy vjet e gjysmë, dy vrasje masive në Cetinje të Malit të Zi.

Në gusht të vitit 2022, Vuk Borilloviq vrau 10 persona, përfshirë dy fëmijë, Marko dhe Mashan, dhe plagosi gjashtë të tjerë me një pushkë gjuetie, për të cilën kishte leje.

Më 1 janar të vitit 2025, Aco Martinoviq, duke përdorur armë pa leje, vrau 12 persona, përfshirë dy fëmijë, Jovan dhe Vukan, ndërsa plagosi katër të tjerë.

Borilloviq u vra 45 minuta pasi filloi vrasjet, Martinoviq kreu vetëvrasje gjashtë orë pasi kreu vrasjet e para.

Në rastin e parë, në Cetinje ishin 12 policë, ndërsa në rastin e dytë nëntë.

Edhe Borilloviq, edhe Martinoviq ishin të raportuar më herët në polici për dhunë dhe armëmbajtje pa leje.

Organizatat joqeveritare Aksioni për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra për të Drejtat e Grave pyetën autoritetet se çfarë ka ndryshuar në sistemin e sigurisë në Cetinje nga viti 2022 e deri më sot?

A është bërë ndonjë gjë ndërmjet këtyre dy vrasjeve masive në sferën e kontrollit të armëve, ku u iniciua Ligji Marko dhe Mashan?

Vetëm pas masakrës së dytë, Qeveria e Malit të Zi paralajmëroi masa emergjente: ligj të ri, kontrolle, konfiskim armësh.

Në Mal të Zi, ku jetojnë rreth 620 mijë banorë, ka mbi 100 mijë armë legale dhe deri në 80 mijë ilegale.

Kontroll armësh pas masakrës së dytë

Pas masakrës së parë në vitin 2022, OJQ-të dhe individët bënë thirrje për rishikimin e licencave të armëve dhe për reduktimin e numrit të armëve, sidomos atyre të paligjshme.

Pavarësisht këtyre thirrjeve, numri i personave me leje për armë në Mal të Zi është rritur gjatë dy vjetëve të fundit – nga 67.545 në vitin 2022 në 69.593 vitin e kaluar.

Dy ditë pas masakrës së dytë, në janar të këtij viti, kryeministri malazez, Millojko Spajiq, paralajmëroi miratimin e një ligji të ri për armët.

Ai tha se do të kontrollohen të gjitha lejet ekzistuese për armët e ligjshme, do të ndërmerren dënime drakoniane për posedimin e armëve pa leje, si dhe do të kontrollohet puna e shoqatave të gjuetisë.

Ai dha edhe një afat prej dy muajsh për kthimin e armëve pa leje pa pasoja ligjore.

Gjithashtu, u paralajmërua edhe një linjë telefonike anonime për denoncimin e armëve pa leje, me mundësi shpërblimi për denoncuesit.

“Populizmi nuk i zgjidh lëshimet”

Avokati malazez, Vesellin Radulloviq, thotë se kushdo që mendon se krimet e ngjashme mund të parandalohen me ndryshimin e Ligjit për armët – ashtu siç u paralajmërua – e mashtron opinionin.

“Ose nuk e ka ndërmend të merret seriozisht me këtë problem, ose nuk e ka idenë se për çfarë flet”, thotë Radulloviq për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se gati dy javë pas krimit, policia nuk ka përcaktuar ende se nga kush e ka siguruar Martinoviq armën pa leje dhe sasinë e madhe të municionit.

“Në një qytet me madhësinë e Cetinjes [me më pak se 15.000 banorë], policia profesioniste do ta kishte zbuluar këtë që në ditën e parë, me kusht që udhëheqësit do ta donin vërtet një gjë të tillë”, sipas Radulloviqit.

Ai thotë se ky rast flet për udhëheqjen jashtëzakonisht joprofesionale të sektorit të sigurisë, ose për njerëz që i mbulojnë nxitësit dhe ndihmësit e vrasësit.

“Kryeministri duhet ta trajtojë këtë problem, nëse ai vetë nuk i përket njërit prej grupeve të lartpërmendura. Ky problem sigurisht që nuk do të zgjidhet me ndryshimin e Ligjit për armët”, thotë Radulloviq.

Autoritetet nuk u morën me Ligjin Marko dhe Mashan

Masakra e re në Cetinje rinxori në pah iniciativën për miratimin e Ligjit Marko dhe Mashan.

Nisma që u ndërmor më 2023 – vitin pas vrasjes së parë masive në Cetinje – mori emrin e dy vëllezërve të vrarë atëherë.

Ligji parashikon dënime më rigoroze për shkelësit, vlerësime të hollësishme psikologjike dhe konfiskim automatik të armëve nga individët e dhunshëm.

Iniciativën e mori Maja Lilaniq Popoviq, motra e njërës prej viktimave të masakrës së Borilloviqit në vitin 2022.

Ajo vendosi ta niste këtë çështje, pasi TV E e Malit të Zi, në shtator të vitit 2023, transmetoi disa dokumente që tregonin se autoritetet e injoruan detyrimin ligjor për t’ia konfiskuar armët Borilloviqit, për shkak të dhunës.

U zbulua se pas një kallëzimi penal kundër Borilloviqit në korrik të vitit 2022, për sulm ndaj një kolegu, policia e Cetinjes i dërgoi një letër degës së Ministrisë së Punëve të Brendshme në Cetinje, për t’i konfiskuar armën Borilloviqit, por se asgjë nuk u ndërmor.

“Nëse atij do t’i merret arma, do të shmanget një tragjedi tjetër e përmasave të tilla”, tha atëkohë Lilaniq Popoviq.

Nisma u mbështet nga 4.290 qytetarë në një platformë online.

Për ta dorëzuar atë në Qeveri janë të nevojshme tri mijë nënshkrime dhe gjashtë mijë për ta dorëzuar në Kuvend.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Malit të Zi dhe Ministrinë e Brendshme se çfarë është bërë në lidhje me këtë iniciativë dhe nëse është e vërtetë që ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviq, ka pesë muaj që i injoron apelet e ndërmarrësve të saj për takim, por nuk mori përgjigje prej asnjërit institucion.

Protestat dhe kërkesat publike

Pa përgjigje mbeten edhe pyetjet e familjarëve dhe qytetarëve të Cetinjes nga marshi protestues i tetorit të vitit 2023, i organizuar për shkak të neglizhencës së policisë gjatë masakrës.

Mes tjerash, ata pyetën se përse nuk i është konfiskuar arma Borilloviqit, përkundër kallëzimit penal, dhe përse askush prej autoriteteve nuk ka dhënë dorëheqje.

Pas tragjedisë së dytë më 1 janar, u mbajtën protesta të reja me thirrjet për dorëheqjen e drejtuesve të sektorit të sigurisë.

Në protestën e 5 janarit u kërkua edhe demilitarizimi i shoqërisë, konfiskimi i armëve dhe kontrolli më i rreptë i tyre, si dhe kthimi i edukimit qytetar si lëndë e detyrueshme në shkolla.

Dorëheqjen e udhëheqësve të sektorit të sigurisë e kërkoi edhe kryetari i komunës së Cetinjes, Nikolla Gjurashkoviq.

Avokati Radulloviq thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse stafi përgjegjës për kolapsin e sistemit të sigurisë, mbetet në pozitat e tij, do të bëhet e qartë se paralajmërimi për ndryshime në ligj, është një rrëfim populist.

“Kjo do të thotë se kolltukët e të paaftëve janë më të rëndësishëm se jeta e qytetarëve dhe fëmijëve të Malit të Zi, të cilët po vriten nga monstrat”, thotë Radulloviq.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Malit të Zi, në seancën e 3 janarit, nuk shqyrtoi kryerjen e ndonjë hetimi për veprimet e policisë në rastin e masakrës së 1 janarit.

I pyetur për mundësinë e shkarkimit të ministrit të Brendshëm, Danillo Sharanoviq, kryeministri Spajiq tha se puna e tij do të vlerësohet në ristrukturimin e ardhshëm të Qeverisë.

Pas masakrës së Borilloviqit në vitin 2022, askush nuk dha dorëheqje në Mal të Zi.