Dy javë pas fillimit të fushatës, arrin mbi 273 mijë euro vlera e gjobave të PZAP-së për partitë politike

Partitë politike në Kosovë kanë filluar fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit, më 11 janar të këtij viti. Anë e mbanë Kosovës, krerët e partive e kandidatët për deputetë po takojnë qytetarë të Kosovës nga veprimtari të ndryshme duke iu premtuar zgjidhje për problemet që nuk i kanë zgjidhur ndonëse të gjithat ishin në pushtet.…

Lajme

27/01/2025 14:35

Partitë politike në Kosovë kanë filluar fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit, më 11 janar të këtij viti.

Anë e mbanë Kosovës, krerët e partive e kandidatët për deputetë po takojnë qytetarë të Kosovës nga veprimtari të ndryshme duke iu premtuar zgjidhje për problemet që nuk i kanë zgjidhur ndonëse të gjithat ishin në pushtet.

Kjo fushatë, përveç se po iu kushton shumë për ta organizuar, shumë para po iu shkojnë edhe për të paguar gjoba të shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

PZAP që nga dita kur ka filluar fushata e deri tani, ka analizuar ankesat që kanë ardhur nga njëra parti për tjetrën dhe ka marrë vendime, shkruan lajmi.net.

Deri më datën 26.01.2025, vlera e gjobave të shqiptuara për partitë politike në Kosovë ka arritur mbi 273 mijë euro.

“PZAP ju njofton se deri me datën 26.01.2025, totali i gjobave të shqiptuara ndaj Subjekteve Politike për procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen me 09.02.2025 është 273,400.00 euro”, thuhet në përgjigjen e tyre për lajmi.net.

Nga këto gjoba nuk ka shpëtuar asnjëra parti, duke përfshirë Vetëvendosjen, PDK-në, LDK-në, AAK-në, Listën për Familjen si dhe partitë e vogla siç është IRDK.

PZAP në ueb-faqen e tyre kanë publikuar në vazhdimësi vendimet për gjobat e shqiptuara për të cilat shpesh kanë reaguar edhe partitë politike duke i konsideruar të padrejta.

Deri kur do të filloj heshtja zgjedhore, me ritmin që po vazhdon duket se partitë politike një shumë të majme parash do ta dërgojnë në PZAP. /Lajmi.net/