Dy botërat e një populli të vetëm

9:09 | 18 Korrik 2019

Nuk ndihemi tamam dhe të përmbushur, në instancë të fundit, as ne dhe as ata, apo, thënë në mirë Ne (së bashku), që jetojmë këtu dhe atje në Perëndim.

Shkruan: Blerim Shala

Vera e çdo viti, kështu do të jetë edhe sivjet, për këtë askush nuk dyshon, do të jetë stina kur ndodhë një ballafaqim, në Kosovë, brenda familjeve të vetme shqiptare, por edhe brenda gjithë shoqërisë kosovare, në mes të kosovarëve që për vite të tëra jetojnë në Perëndim, dhe atyre që jetojnë këtu, në Kosovë.

Do të ishte tepër interesant që të bëheshin hulumtime dhe analiza sociologjike  (dhe jo vetëm sociologjike), se çfarë sjellë kjo përballje e dy botërave  (realisht), të cilat disi funksionojnë brenda një familje të vetme.

Pakçka ka mbetë vlerë e përbashkët këtu.

Gjuha shqipe gjithsesi, pastaj, e kaluara e përbashkët  (e cila mund të jetë tani disa decenie larg, varësisht kur ka ndodhë largimi prej Kosovës), një lloj i solidaritetit evident  (i atyre që janë jashtë për ne që jemi brenda), pastaj, një interesim, (i cili ka kohë që ka nisë të zbehet), për zhvillimet në Kosovë, për fatin e këtij vendi.

Pastaj vijnë elementet dhe temat që shërbejnë si burim i debateve të pafund se kush çka po bën sot, këtu edhe atje, pse Kosova si shtet i pavarur sot është larg atyre ëndrrave, pritjeve dhe synimeve tona të përbashkëta, a do të bëhemi ndonjëherë Evropë si Kosovë, etj.etj.

Nuk ndihemi tamam dhe të përmbushur, në instancë të fundit, as ne dhe as ata, apo, thënë në mirë Ne  (së bashku), që jetojmë këtu dhe atje në Perëndim.

Shqiptarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë në Evropë dhe në Amerikë, në shumicën e rasteve janë integruar në mënyrën më të mirë të mundshme në shtetet dhe shoqëritë perëndimore, kanë përqafuar vlerat më të mira të demokracisë liberale, kanë përfituar nga ato dhe kanë nisur madje, të jenë kontribues  (e jo vetëm përfitues), në këto vende dhe në këto shoqëri.

Këta kosovarë, në anën tjetër, janë kontribuesit më të mëdhenjë financiar për stabilitetin social të Kosovës, me dërgesat e tyre financiare, të cilat përkundër të gjitha paralajmërimeve dhe parashikimeve  (që do të bien), sa vijnë dhe rriten, për t’ia kaluar shifrës prej 750 milionë Euro në vjet (përmes dërgesave të rregullta bankare dhe të agjenice në ndryshme të bartjes së parave) . Në fakt, llogaritet që realisht, kontributi financiar i mërgatës sonë është së paku dyfish më i madh (pra, kalon 1.5 miliardë Euro).

Një matematikë e thjeshtë tregon që nëse bashkëkombasit tonë dërgojnë prapa në Kosovë 10% të të ardhurave të tyre në Perëndim, atëherë del që ata duhet t’i fitojnë me punë diku 15 miliardë Euro në vjet, për të sjellë në Kosovë, në forma të ndryshme, 1.5 miliardë Euro.

Kjo do të thotë që ata me rroga dhe me të ardhurat e tyre ia kalojnë dy herë Bruto prodhimit vendor të Kosovës.

Këto janë shifra brutale që tregojnë se për çka bëhet fjalë në të vërtetë, në këtë relacionin apo varëshmërinë financiare dhe sociale të Kosovës nga Mërgata.

Mund lehtë të supozohet se çka do të ndodhte me ne, me këtë stabilitet edhe ashtu të brishtë politik dhe social që kemi, poqëse nuk do ta kishim këtë ‘buxhetin’ shtesë që në mënyrë të rregullt na vie për çdo vit.

Në anën tjetër, për njëqind shkaqe të njohura dhe të panjohura, shqiptarët në Kosovë janë të pakënaqur dhe të papërmbushur, si individë, si familjarë, por edhe si qytetarë të shtetit të Kosovës. Shumë prej tyre, sipas thuaja të gjitha hulumtimeve, do të preferonin të ju bashkoheshin familjarëve të tyre në Perëndim.

Këndejpari, ne lakmojmë jetën e shqiptarëve të Kosovës në Perëndim.

Ata lakmojnë që ne jetojmë në shtetin e Kosovës.

Natyrisht, debatet e pafundme kush çka bën sot dhe çka mund të bëjë edhe tash e tutje, për interesin e secilit prej nesh, të familjeve tona dhe të këtij shteti, na bëjnë bashkë çdo verë.

Pakçka del prej këtyre fjalëve, pos që gjithnjë e më shumë kuptojmë që edhe pse jemi të një familjeje dhe të një vendi, përherë e më pak mirremi vesh në mes veti.

Me gjasë, diçka e tillë është e pashmangshme, edhe pse si shtet, dhe si instutucione të këtij vendi, jemi të detyruar, në të vërtetë, kemi edhe interes jetik që ta ndryshojmë këtë raport brenda nesh dhe që të krijojmë rrethana kur do të arrijmë të funksionojmë disi si një komb dhe si një shtet.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)