Dushi: Kostiq nuk ka sjellë fakte të mjaftueshme

Florian Dushi anëtari i KQZ-së, ka thënë se Kostiq nuk ka sjellë fakte të mjaftueshme për të treguar se nuk e mban postin e deputetit në Serbi. Ai ka thënë se KQZ është organ i pavarur dhe punon në bazë të ligjeve dhe kushtetutës.

Lajme

22/01/2015 16:09

Përfaqësuesi i LDK-së, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Florian Dushi, ka thënë se Vlladeta Kostiq, nuk ka sjellë fakte të mjaftueshme për të dëshmuar se nuk është deputet i Serbisë.

KQZ në mbledhjen e mbajtur sot nuk e ka certifikuar fitoren e Kostiqit si kryetar të Graçanicës, edhe pse i kishte fituar zgjedhjet.

Duke komentuar këtë vendim të KQZ-së, Dushi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se KQZ është organ i pavarur dhe nuk trajton raste politikisht po në bazë të ligjeve.

Dushi në Facebook ka shkruar se KQZ-së i duhen dëshmi serioze që Kostiq nuk është më deputet i Serbisë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i pavarur kushtetues i Republikës së Kosovës në të cilin rastet si ky i z.Kostiq nuk trajtohen politikisht por vetëm nga aspekti kushtetues dhe ligjor”.

“Pikërisht për këtë arsye, KQZ-së i duhen dëshmi serioze dhe reale të cilat e bindin institucionin tonë se kandidati në fjalë nuk është edhe më tutje deputet i Kuvendit të Serbisë ashtu siç na informon faqja zyrtare e këtij institucioni”.

“Fakti që kandidati në fjalë ka sjellë një shkresë dorëheqjeje nga Kuvendi i Serbisë është i pamjaftueshëm edhe për shkak të përmbajtjes por edhe për shkak të procedurave të cilat parashihen për pranimin e dorëheqjes, përkatësisht zëvendësimin e deputetit të dorëhequr me rregulloren e punës së atij institucioni”.

“Duke qenë jashtëzakonisht i impresionuar me njohurit e thella të z.Kostiq për rregullativën kushtetuese e ligjore të Republikës së Kosovës, e siguroj z.Kostiq se qëndrimi i sotëm i KQZ-së nuk ka asnjë prapavijë politike por thjeshtë është veprim procedural i paraparë me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, ka shkruar Dushi.