Durimi me afat të skaduar

Prej 8 qershorit e tutje, nuk do të ketë më kurrfarë argumenti ngushëllues për qytetarin mesatar të Kosovës.

Opinion

15/05/2014 12:14

Prej 8 qershorit e tutje nuk ka vend për justifikim, edhe pse gjithmonë mund të gjinden argumente për ngushëllim, në përshkrim të gjendjes së sotme politike në Kosovë.

Argumenti i parë që të bie ndërmend është ai i moçmi, të cilin e kemi përdorë shpesh, tepër shpesh, në vitet e pasluftës, dhe i cili, nga përdorimi, nga vetë rrjedha e ngjarjeve, është zbehur goxha shumë.

Ky na thotë: ‘Ku kemi qenë  (në okupim, në luftë, në komunizëm, në Rendin ndërkombëtarë të bërë pas vitit 1945-të, i cili na kishte bërë si komb, humbës të madh), mirë jemi shumë…’.

Kjo prehje, ky argument, mbase, jo vetëm që njeh muajt a vitet e fundit të skadimit të afatit të përdorimit, (në variantin më të mirë), ai, për më shumë, nuk vlen fare për brezin që sot ka 20-30 vjet moshë, e i cili ose nuk mbanë fare në mend, ose kujton si nëpër mjegull çfarë kemi përjetuar si shqiptarë në të nëntëdhjetat dhe më parë.

Atyre nuk ju intereson, tek e fundit, e kaluara. Ata e jetojnë të sotmen, dhe duan ta shohin veten pjesë të Qytetërimit të sotëm, pjesë të Evropës dhe të Perëndimit.

Të jesh pjesë e këtij qytetërimi do të thotë të kesh sado kudo një minimum ekzistencial të siguruar; të kesh gjasa reale të punësohesh, veçmas nëse ke arsimimin e duhur. Të kesh shëndetësinë publike në nivel; të kesh mundësi të udhëtosh ku të duash; të jesh qytetar i një shteti që kujdeset për ty, që të ofron rend dhe ligj, siguri të vazhdueshme. E kështu me radhë…

Të strehohesh sot në argumentet që vijnë nga e djeshmja, cilado qoftë ajo, do të thotë të mendosh që me histori mund të sprovohesh në të ardhmen, apo, thënë edhe më troç, që me paratë që i ke pasur më parë, (e që më nuk i ke), mund të blesh mallin e të sotmes. Kjo thjeshtë nuk është e mundur.

Është një tjetër justifikim për këtë rrëmujën e sotme, që thirret në një thënie tjetër, e cila po ashtu përdoret shpesh ndër ne, si në politikë, ashtu edhe në përditshmërinë tonë.

Ky justifikim na thotë: ‘Paj, as të tjerët (në rajon, natyrisht, jo diku tjetër), nuk janë më mirë…’.

Lajmet nga Shqipëria, të të gjitha natyrave, mbi të gjitha, hyjnë në punë këtu.

Bashkimi kombëtarë kështu ndodhë në perceptimin dhe në shpjegimin e dështimeve tona gjithëkombëtare. Dhe pas këtyre vlerësimeve, ia krisim ‘Xhamadanit…’, betohemi në flamurin kombëtarë, thërrasim në ndihmë Skënderbeun, dhe më në fund, bimë të flemë.

Gjumi këtu ka konotacione ekskluzivisht politike.

Një tjetër argument na vjen, çuditërisht, nga vetë Perëndimi, dhe atë, nga njëri prej mendimtarët më në zë, i cili njeh shumë mirë bashkëkohësinë perëndimore. Ai është Timothy Garton Ash.

Ash ka mbërrit tek një konkludim tronditës, për kualitetin dhe përgjegjshmërinë e krye-politikanëve amerikanë dhe evropianë, pas takimeve të shumta me ta, dhe pas analizës së detajizuar që u ka bërë punës dhe vendimeve të tyre.

Ash e thotë troç: Së paku gjysmën e kohës së tyre, këta politikanë nuk dinë se çka bëjnë.

Ky pohim është befasues dhe tej mase frustrues, edhe për audiencën perëndimore.

Qytetarët në shtetet më të zhvilluara perëndimore, janë të bindur që politikanët kryesorë të tyre janë qind për qind të devotshëm për interesin e shtetit dhe të qytetarëve, dhe po ashtu, gjatë gjithë kohës që janë në detyrë, dinë çka duhet bërë që gjërat të ecin në drejtimin e duhur.

Por Ash e vë në mëdyshje me themel këtë bindje.

Ka në Perëndim sa të duash hamendje dhe huti, ka gabime elementare, ka edhe mashtrime, por gjithsesi, ka edhe periudha kur merren vendimet e duhura.

Nëse tash ky pohim i Ash-it bartet ndër ne, në shoqërinë dhe në politikën kosovare të pranverës së vitit 2014, dhe nëse bëhet një krahasim i Kosovës me Perëndimin, duket që konkludimi që imponohet është ky: Nëse atje, në Perëndim, politikanët funksionojnë në parim 50 përqind si duhet, atëherë çka mund të pritet në Kosovë?

Këtu pyetja që del në shesh është: A dinë politikanët fare se çka po bëjnë? A iu paraprijnë ata ngjarjeve, a janë në ballë të vendit, apo sillen sipas rrethanave që krijohen pavarësisht prej tyre?

Përgjigjet në këto pyetje, janë pak a shumë të qarta. Ato dihen.

Ashtu siç dihet që tash e tutje, apo, prej 8 qershorit e më pas, nuk do të ketë më kurrfarë argumenti ngushëllues për qytetarin mesatar të Kosovës.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)