Duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Kosovës deri më sot ka krijuar një imazh mjaft pozitiv. Vendimet e saj janë respektuar nga palët, kur ajo ka dhënë qëndrimin e saj. Ky respektim ia ka rritur integritetin, besueshmërinë dhe vazhdon të jetë institucioni më prestigj profesional dhe i denjë për një shoqëri me institucione pak a shumë të reja, që për çdo gjë që mund të kontestohet i drejtohen asaj për ta dhënë mendimin më superior në fushën e drejtësisë.

Opinion

15/05/2020 20:08

Pritja e fjalës së fundit të Gjykatës Kushtetuese, e mundshme deri me 29 maj, lidhur me dekretin e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi që përfaqësuesit të Lidhjes Demokratike të Kosovës z. Abdullah Hoti ia jep mundësinë për të formuar qeverinë, pas shkarkimit të kryeministrit Albin Kurti më 25 mars 2020, më 82 vota çdo ditë e më shumë, po rrit kureshtjen e opinionit publik, të partive politike e madje edhe të shoqërisë civile.

Gjykata Kushtetuese në situatën e re politike do të qe mirë që ta tregojë edhe njëherë integritetin e saj të lartë. Ajo nuk duhet të merr vendim mbi asnjë analogji paraprake. Gjykata Kushtetuese duhet të ndëshkojë të gjithë ata që nuk përfillin procedurat ligjore deri në detajet më të imëta. Gjykata Kushtetuese në secilën rrethanë, në përputhje me elementet e reja, në kontekstin konkret duhet të merr vendime që kanë një qëllim, mos bllokimin e funksionimit të institucioneve të Kosovës.

Është qesharak mendimi sipas të cilit hartuesit e kushtetutës nuk e kanë paraparë mundësinë që fituesi i zgjedhjeve të mos jetë i interesuar për ta  propozuar mandatarin për formimin e qeverisë, duke e u nisur nga ideja se gara zgjedhore politike bëhet për ta marrë pushtetin.

Gjykata Kushtetuese në vitin 2014 e bëri të qartë se pa u shterë mundësitë e të drejtës së forcës së parë politike, nuk mund të kalojë e drejta e themelimit të qeverisë te forca e dytë, e tretë etj. Po ashtu, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit (Isa Mustafën) e konsideroi si antikushtetuese, sepse me Kushtetutë, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit i takojnë fituesit të zgjedhjeve.

Pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 më në fund u krijua qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. Është në vullnetin politik dhe mundësinë reale të forcës së parë se kë e bën mandatar, kë e bën kryetar Kuvendi. Dhe këtu askush nuk mund të ndërhyjë. Por, gjërat fillojnë të ndërlikohen kur ka kontestime kur ndodhin veprime me peshë relevante në jetën institucionale.

Shkarkimi i kujtdo qoftë përmes Kuvendit, kur ka vullnet politik, është veprim legjitim. Në rastin konkret, shkarkimi i kryeministrit Albin Kurtit ishte vullnet masiv, mbi 2/3 e deputetëve votoi kundër tij. Rasti i qeverisë Kurti është origjinal, është precedent më vete dhe si i tillë duhet të merret dhe të trajtohet edhe politikisht edhe moralisht edhe juridikisht. Asgjë nuk bën të bazohet në modelet paraprake.

Gjykata Kushtetuese do të duhej të veprojë në bazë të rrethanave aktuale, duke përfshirë të gjithë faktet e reja. Qeveria Kurti u prish me partnerin e saj LDK-në pas 40 ditë qeverisjeje. Albin Kurti u shkarkua. Si forcë e parë politike iu bë kërkesa që ta jep emrin e mandatarit. Nuk e dha. U mbrojt në heshtje dhe mosdorëzim të emrit, gjë që është vullnet i lirë politik. Por, jeta institucionale nuk mund të bllokohet nga heshtja dhe zvarritja e emrit. Partitë politike parlamentare, po ta vlerësonin, patën rast të merrnin vendim për të shkuar në zgjedhje të reja. Pos Vetëvendosjes, asnjë tjetër nuk qe për këtë opsion.

Në dy rastet e kaluara  forca e parë politike arriti që me numra të mjaftueshëm të deputetëve të krijojë edhe Kuvendin e dhe qeverinë, më 2015 por edhe më 2017 (61-shi i famshëm me Labinot Tahirin). Në të dy rastet po të kishte ithtarë sa ka sot për të mos bërë zgjedhje të reja dhe për të formuar qeverinë nga forca e dytë, e tretë, e katërt politike, Gjykata Kushtetuese nuk do të duhej ta bllokonte mundësinë e krijimit të qeverisë nga forcat tjera.

Pra, me asnjë rrethanë krahasuese dhe analoge, Gjykata Kushtetuese nuk duhet të jetë bllokuese e krijimit të institucioneve. Po bllokim të shkeljes së procedurave. Jo bllokim të krijimit të qeverisë. Dy fakte shumë kokëforta janë para Gjykatës Kushtetuese sot. Një, 82 vota kundër kryeministrit Kurti. Dy, vullneti politik për të mos shkuar në zgjedhje të reja. Kosova duhet t’i provojë dhe t’i ketë të hapura të gjitha mundësitë për të krijuar qeverinë, por gjithnjë duke ecur në përfillje të të gjitha procedurave, ligjeve dhe rregulloreve.

Modeli i krijimit të qeverisë nga forca e dytë, është pasuri e funksionimit të demokracisë. Si precedent duhet të ekzistojë. Rrethanat politike e bëjnë ose nuk e bëjnë të përdorshëm. Madje mund të jetë rregullator pozitiv dhe të ndikojnë në përkryerjen e subjekteve politike të mëdha. Duhet të kenë kujdes dhe të jenë sa më shumë të kultivuara, të avancuara, korrekte, për të qenë të pranueshme, të dëshirueshme nga konkurrentët politikë, kur vjen rasti i gjetjes së aleatëve për krijimin e qeverisë, si kusht për partinë që del e para, por që nuk ka fituar mbi 60 vende në parlament. /Lajmi.net/