Duka: Kosovarët e diasporës zgjedhin Shqipërinë, i fundit ishte Ismajli

Presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka, ka qenë i ftuar në emisionin “Opinion”, ku ka folur rreth Kombëtares kuqezi.

Sport

28/03/2019 09:13

Sigurisht ai foli edhe për lojtarët kosovarë që zgjedhin Shqipërinë, përcjellë Gazeta Olle.

Sipas Dukës, kosovarët që janë në diasporë, e kanë opsion edhe Shqipërinë dhe jo vetëm Kosovën.

Ai e përmendi rastin e Ardian Ismajlit, i cili la Kosovën (ku s’po luante titular), për t’iu bashkuar kuqezinjve.

“Futbollistët që janë në Kosovë sigurisht e kanë zgjedhje të parë Kosovën, por kosovarët që janë në diasporë, kanë treguar që zgjedhin edhe Shqipërinë. E kemi të freskët së fundmi rastin e Ismajlit”, deklaroi Duka.

Kreu i FSHF-së e komentoi edhe mundësinë e krijimit të një lige kombëtare.

Ai e pranoi që s’ka kurrfarë iniciative, derisa tha se s’do të ketë derisa do të jenë dy shtete.

“Derisa do t’i kemi dy shtete, do t’i kemi dy liga. Sigurisht, askush nuk të ndalon të bësh kompeticion tjetër. Momentalisht e kemi Kupën Pavarësia, e cila s’ka arritur ndonjë efekt të madh, por iniciativa tjera s’ka momentalisht”, shtoi ai.

DUka është sulmuar jo pak kohëve të fundit për rënien drastike të Kombëtares së Shqipërisë në të gjitha aspektet.