Duka: Fitojmë kundër Serbisë si me Greqinë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e ka komentuar shortin e kualifikimeve për Europianin e 2016’ës, duke u ndalur natyrisht te ndeshja me Serinë. Si krahasim ai ka sjellë fitoren e kuqezinjve më 4 shtator 2004 ndaj Greqisë (2-1) në “Qemal Stafa”, por pa harruar të lëshojë edhe një apel për tifozët e…

Sport

07/03/2014 20:59

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e ka komentuar shortin e kualifikimeve për Europianin e 2016’ës, duke u ndalur natyrisht te ndeshja me Serinë.

Si krahasim ai ka sjellë fitoren e kuqezinjve më 4 shtator 2004 ndaj Greqisë (2-1) në “Qemal Stafa”, por pa harruar të lëshojë edhe një apel për tifozët e Kombëtares.

Gjatë emisionit “Takimi i pasdites” në “Vizion Plus”, ai u ka kërkuar këtyre të fundit që të mos i kalojnë caqet, duke e konsideruar këtë vetëm si një ndeshje normale futbolli.

Takimi pritet të jetë ndër më të zjarrtit e këtyre kualifikime, kjo nisur edhe nga përplasjet politike që shqiptarët kanë pasur ndër vite me serbët.

“Ne duhet ta bëjmë më të mirën në ndeshje me Serbinë, por natyrisht pa i shtuar më shumë se duhet dozat, pasi kjo do ta vinte disi në presion edhe skuadrën tonë. Do të jetë një ndeshje futbolli dhe e tillë duhet të mbetet, ndaj ne do bëjmë punën tonë maksimalisht në këtë këndvështrim”, deklaroi fillimisht kreu i futbollit shqiptar.

“Kemi rastin e Greqisë, ku ne vërtetë fituam dhe krijuam edhe një atmosferë shumë të mirë dhe të zjarrtë, që normalisht ndikoi pozitivisht edhe te skuadra”.

Unë e kuptoj se tifozët janë disi më të prirë në ndeshje të tilla, por përballjen me Serbinë në radhë të parë duhet ta kuptojmë si një ndeshje futbolli, të cilën të gjithë duam që ta fitojmë, natyrisht pa kaluar më pas caqet e tifozllëkut”, përfundoi Duka, i cili e konsideroi si një grup të vështirë atë të Shqipërisë, në kualifikimet për Evropianin ‘Franca 2016’.