Duhet të bisedohet për statusin e shqiptarëve në Mal të Zi

Lideri i Ramush Haradinaj ka pritur një delegacion përfaqësuesish të shqiptarëve nga Mali i Zi, ku u bisedua hollësisht për situatën e shqiptarëve në shtetin fqinj.

Lajme

28/03/2014 14:41

Në këtë takim ishin të pranishëm Nikollë Camaj, ish-deputet dhe ish-ministër në qeverinë e Malit të Zi, tash kryetar i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve në Mal të Zi, Bujar Hasangjekaj, Ismet Gjonbalaj e zyrtarë të tjerë të këtij subjekti, me bashkëpunëtorë të tyre.

Kryetari Haradinaj kërkoi nga Camaj dhe përfaqësuesit tjerë që të konsolidojnë radhët e organizimit politik shqiptar në Mal të Zi, t’i bashkërendisin qëndrimet dhe të mbrojnë njëzëri kauzën e shqiptarëve të Malit të Zi.

“Statusi dhe e ardhmja e shqiptarëve të Malit të Zi është dhe duhet të jetë edhe në të ardhmen preokupim dhe angazhim i të gjithë neve”, ka thënë Haradinaj, raporton Kosovapress.

Ai ka thënë se kjo çështje për asnjë moment nuk duhet konsideruar si çështje e jashtme e politikës kosovare, kurse konfrom kësaj ai shfaqi idenë për organizimin e një tryeze mbarëshqiptare, në të cilën do të diskutohej për statusin dhe shqetësimet e shqiptarëve jashtë Kosovës, veçanërisht të atyre në Mal të Zi dhe Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Në takim po ashtu u diskutua, me theks të veçantë, rëndësia e ndërtimit të rrugës Deçan-Plavë dhe e investimeve të tjera që lidhin dhe lehtësojnë komunikimin dhe qarkullimin me shqiptarët në Mal të Zi, sepse, për këtë, ka thënë kryetari Haradinaj, nuk kurrfarë pengesash apo implikimesh”thuhet në një komunikatë për media të AAK-së.