Duhet ndërtuar ADN e Shtetit

Zëvendëskryeministri Hajderin Kuçi mendon se kosovarët kanë arsye t’i gëzohen 17 Shkurtit. Thotë se mbi bazën e vlerave që Kosova fitoi lirinë, tash duhet të ndërtohet ADN’ja e saj. E sheh Kosovën si një shtet që funksionon më mirë se disa shtete të rajonit.

Lajme

15/02/2014 15:44

Zëvendëskryeministri Hajderin Kuçi, në një ligjëratë të mbajtur në UBT, në prag të përvjetorit të gjashtë të Pavarësisë së Kosovës, ka deklaruar se të gjithë kanë arsye t’i gëzohen 17 Shkurtit.

Sipas tij, mbi bazën e vlerave që është arritur liria, tash duhet të ndërtohet ADN’ja e Shtetit të Kosovës.

“Unë besoj se të gjithë ne kemi arsye që t’i gëzohemi 17 Shkurtit të vitit 2008. Kemi arsye të jemi falënderues për gjithë atë kontribut që kanë dhënë njerëzit, edhe në kontributin paqësor edhe në kontributin ushtarak, edhe me dije dhe me pushkë.”

“Dhe kemi arsye, mbi bazën e këtyre vlerave, që të ndërtojmë atë që unë e quaj ADN’në e Shtetit”.

“ADN’ja e Kosovës duhet dhe është orientimi pro-perëndimor, ekonomia e lirë e tregut, demokratizimi i vendit, barazia e qytetarëve, respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut, etj. Mbi të gjitha, një shtet modern dhe demokratik”.

Hajredin Kuçi ka pranuar se nuk kanë mundur ta largojnë Serbinë më larg se lumi Ibër.

“Edhe me luftë, edhe me intervenimin e NATO’s, edhe me politikë paqësore, edhe me UNMIK, edhe me EULEX, kemi pas arritur që ta largojmë Serbinë deri tek ura e Ibrit, por jo deri tek pika 1 dhe 31”.

Ai ka folur edhe për Marrëveshjen e Brukselit, për të cilën ka thënë se duhet shikuar në disa prizma.

Sipas tij, Marrëveshja e 19 Prillit, që ishte e para, ka karakterin e saj historik dhe në fund edhe ndikimin e saj psikologjik tek shqiptarët dhe serbët.

“Marrëveshja e 19 Prillit nuk ndryshon, ajo është nënshkruar dhe ratifikuar. Duhet shikuar nga disa prizma”.

“E para, e kemi quajtur si marrëveshja e parë, dhe jo rastësisht, që mund të rezultojë edhe me marrëveshje të tjera”.

“E dyta, e ka karakterin historik. Kur them historik, ne kemi provuar me Serbinë çdo gjë, por se kemi provuar asnjëherë marrëveshjen”.

“E treta, duhet ta pranojmë edhe një fakt, ka edhe aspekt psikologjik, popujt tanë binden se mund të bëhet marrëveshje në mes të dy popujve”.

“Dhe kjo marrëveshje ka hapur një kapitull që nuk duhet të përfundojë me këtë. Unë them duhet të përfundojë me Traktatin e Paqes”.

Kuçi beson se Kosova gjendet në hartën politike të botës si një shtet që funksionon mirë dhe si një vend me perspektivë.

“Unë besoj se fotografia e Kosovës është në hartën politike të shteteve të botës. Kosova është një shtet që po funksionon që 6 vjet dhe them se po funksionon edhe më mirë se shtetet e rajonit. Kosova është një shtet me perspektivë”.