Duam votim të lirshëm
Peter Palmer nga Misioni i BE’së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve flet për lajmi.net për zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut, të cilat do të përsëriten nesër në tri vendvotime. Ai shpreson që gjithçka të shkojë qetë dhe të mos ketë skena sikur ato të 3 nëntorit.

Lajme
Banorët e Mitrovicës së Veriut do t’u drejtohen nesër përsëri kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokalë.
Më 3 nëntor, më pak se një orë para se të mbyllen vendvotimet, ekstremistët e maskuar serbe sulmuan vendvotimet në këtë komunë.
Me rekomandimin e OSBE’së, si lehtësuese e këtij procesi në katër komunat në veri të Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi përsëritjen e votimeve në ato vendvotime ku u demoluan materialet zgjedhore të cilat e bënë të pamundur nxjerrjen e një rezultati.
Organet vendore e ndërkombëtare të rendit dhe sigurisë kanë paralajmëruar masa të rrepta sigurie për zgjedhjet e 17 nëntorit, në mënyrë që incidentet të mos përsëriten.
Këtë e shpreson edhe Misioni i Bashkimit Europian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EUEOM).
Peter Palmer, Zëvendës Shef i këtij misioni thotë për lajmi.net se ky ekip vëzhguesish pret që gjithçka të shkojë mirë në Mitrovicën e Veriut, që votuesit të dalin lirshëm për ta shprehur vullnetin e tyre, i cili pas numërimit të fletëvotimeve do të rezultojë me zgjedhjen e liderëve të tyre lokalë.
“Ne mund të flasim vetëm në emër të misionit dhe aktiviteteve tona. Ne shpresojmë se ambienti i sigurt i cili do të jetë përreth qendrave të votimit, do t’u krijojë mundësinë qytetarëve për të dalë në votime”.
“Misioni i Vëzhguesve të Bashkimit Europian shpreson se përsëritja e zgjedhjeve në Veri të Mitrovicës, do të kalojë në një ambient të qetë dhe se votuesit do të mund që të shprehin lirshëm të drejtën e tyre për të votuar dhe pa pasur frikë”, thotë Palmer.
Ditën e nesërme, EUEOM do të jetë në Mitrovicën e Veriut me dy vëzhgues afatgjatë të cilët janë vendosur atje që nga raundi i parë i zgjedhjeve.
Misioni në të cilin Palmer është njeriu i dytë në hierarki, dy ditë pas zgjedhjeve ka lëshuar një deklaratë për ecurinë e zgjedhjeve, të cilës i referohet edhe Peter Palmer.
“Siç kemi theksuar në atë deklaratë, para raundit të parë të zgjedhjeve frikësimi i përhapur dhe presioni ndaj aktivistëve politikë dhe votuesve , më shumë në veri, ka stagnuar fushatën për pretenduesit e zgjedhjeve, krijimin e një mjedisi që nuk ishte i favorshëm për një fushatë të lirë”.
“Deklarata gjithashtu dënoi ashpër incidentet në qendrat e votimit në Mitrovicën e Veriut atë ditë. Shefi i Misionit të Vëzhguesve, Roberto Gaultieri ka theksuar në se ky sulm shtyp të drejtën elementare të njerëzve për të shprehur vullnetin e tyre përmes kutive të votimit”.
“Ne shpresojmë se rivotimi më 17 nëntor do të kalojë në një mënyrë të qetë dhe paqësore, pa asnjë incident të tillë, në mënyrë që njerëzit të mund të votojnë lirshëm”, thotë Peter Palmer për lajmi.net.