Dua Lipa reagon pas lajmeve se policia ia ndërpreu xhirimet e videoklipit

Dua Lipa ka reaguar pas pretendimeve se policia ia ndërpreu xhirimet e klipit në Londër.

ShowBiz

16/10/2020 19:46

Dua Lipa së fundi është rikthyer në Londër për të xhiruar videoklipin e ri, shkruan lajmi.net.

Mediet e huaja gjatë ditës së sotme kanë shkruar se artistja i theu rregullat e caktuara kundër pandemisë COVID-19, andaj ka ndërhyrë policia gjatë xhirimeve.

Në një artikull të publikuar nga “The Sun” thuhet se vendasit e rajonit ku po xhironte Duas ishin ankuar pasi panë ekipin që po xhironte pa i respektuar masat.

Andaj, thuhet se të mërkurën në mbrëmje ka ndërhyrë policia për t’ia ndaluar xhirimet artistes, ngase u ankuan qytetarët.

Qytetarët që u cituan në atë artikull, kishin thënë se nuk është respektuar fare distanca shoqërore dhe rregullat e tjera.

“Njerëzit në zonë po respektojnë ligjin, kështu që të shihje hapur një yll të pop-it që ishte duke i thyer ishte një formë e dobët. Dikush thirri policinë”, kishte deklaruar një qytetar.

Pas gjithë këtyre, Dua Lipa ka reaguar me anë të një postimi të gjatë, duke e quajtur artikullin të rremë.

Madje, ajo tha se nuk ia vlen ta përmend emrin e medias për t’i përë publicitet, por avokati i saj ka nisur procedurë ligjore në drejtim të mediumit.

Dua përmendi faktin se nuk është e vetmja që bie pre e lajmeve të rreme, ngase e njëjta po ndodh edhe me shumë figura të tjera publike.

Albumi “Future Nostalgia” për katër javë me radhë ka qëndruar në krye të tabelave të albumeve. /Lajmi.net/