Droga e Divjakës, dëshmi që e lidhin pilotin italian me trafikun e hashashit

Personi që më shiti drogën quhet Agron. Është nga Fushë- Kruja. Nuk di më shumë rreth tij. Sasinë prej 207-208 kg hashash ma dorëzoi mëngjesin e 10 majit. I pagova 56 mijë euro, ka rrëfyer qartë i arrestuari Saimir Bajrami para hetuesve. 

Lajme

18/05/2014 11:49

Në kohën kur ka rrëfyer me detaje të gjithë të kaluarën e tij, njohjen me një mik të Riformatos, me këtë të fundit dhe marrëveshjen që kishin bërë për të trafikuar hashashin nga Shqipëria drejt Italisë, në rrugë ajrore, i dyshuari Bajrami nuk tregon asgjë më shumë se sa emrin e personit që e furnizoi me lëndë narkotike, raporton BalkanWeb.

“E njoh me këtë emër. E kam kontaktuar përgjatë dy ditëve të qëndrimit tim në Shqipëri. Nuk di të dhëna të hollësishme rreth tij”, tha Saimir Bajrami në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila po heton për të identifikuar këtë person, që me shumë gjasë i është prezantuar me emër të rremë Saimir Bajramit.

Nga mënyra se si e ka përshkruar i dyshuari, hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për një eksponent të trafikut të drogës që operon në këtë zonë.

Por ndërsa për furnizuesin e Saimir Bajramit ka një emër dhe një përshkrim, Prokuroria nuk ka ndonjë të dyshuar si pronar të sasisë prej 94 kg hashash, që u gjet në rërë pak metra larg nga avioni, edhe pse, sipas ekspertëve, kjo sasi droge është siguruar në Lazarat.

Teksa ka rrëfyer mënyrën sesi ra në kontakt me Giorgio Riformaton dhe marrëveshjen që bëri me të për të trafikuar sasinë e drogës në rrugë ajrore, Saimir Bajrami ka shpjeguar me detaje përse vendosi të largohej nga Divjaka, kur pa se avionit iu këput rrota. “E ndoqa me shikim uljen e avionit dhe pashë rrotat e para që u ulën në tokë dhe më pas të pasmet. Avioni përshkroi 30-40 metra në ecje normale dhe atëherë pashë që njëra nga rrotat e tij kishte prekur në një vend më të ngritur dhe pësoi goditje, ku m’u krijua përshtypja se avioni po ngulej në rërë. Kur pashë se piloti nuk kishte pësuar dëmtime, pasi doli nga avioni, vendosa të largohesha. Por, në momentin që hyra në rrugën e Pyllit të Divjakës, makina më pësoi defekt dhe m’u prish fraksioni”, shprehet Bajrami para hetuesve.

Ai nuk vendosi ta bënte rrugën i vetëm në këmbë, apo të kërkonte taksi. Por thjesht, kërkoi ndihmën e një drejtuesi automjeti, me të cilin kur u prezantua mësoi se kishin të njëjtin emër. Sipas prokurorisë, Saimir Bajrami ka ndaluar në rrugë dhe ka kërkuar ndihmë tek një makinë që po kalonte në atë moment pranë tij. Ka rezultuar se drejtuesi i kësaj makine ka qenë Sajmir B., i cili e ka ndihmuar dhe e ka çuar tek shtetasi Florian D., për të kryer një shërbim me karrotrec.

Shoferi që e ndihmoi Bajramin tha se nuk njihej me Saimir Bajramin, por e ndihmoi për shkak se makina i kishte pësuar defekt. Megjithatë, hetuesit por bëjnë hetime për gjithkënd që direkt apo indirekt është përfshirë në ngjarje.

Piloti italian, Giorgio Riformato, avioni i të cilit ngeci në rërën e Divjakës, duket se nuk ka qenë i vetëm në ‘sipërmarrjen’ e tij kriminale. Në dosjen e prokurorisë thuhet se Riformato shoqërohej nga dy persona të tjerë, në momentin që është akomoduar në hotel “K…”, pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

“B. Ç. dhe E. H., recepsionistë në hotelin ‘K…’, kanë deklaruar se në datën 09.05.2014, ora 00:10, ka shkuar në këtë hotel shtetasi italian Giorgio Riformato, i cili ishte i shoqëruar nga dy persona. Riformato është akomoduar në dhomën nr. 106\”, theksohet në dosje. Hetuesit nuk bëjnë publikë identitetet e këtyre dy personave, të cilët janë identifikuar përmes pamjeve filmike të kamerave të sigurisë së hotelit. Prokuroria nuk konfirmon nëse ka marrë dëshminë e këtyre personave, të cilët, edhe nëse nuk rezultojnë të implikuar në rrjetin e trafikut, me shumë gjasë mund të japin të dhëna të vlefshme për hetimin, pasi kanë dijeni për lëvizjet e italianit Riformato.

Në fakt, ky i fundit këmbëngul se gjatë qëndrimit të tij në hotel nuk është takuar me asnjëri, por faktet dhe provat e rrëzojnë alibinë e tij.

“Nuk jam takuar me askënd në hotel”, deklaroi Riformato para hetuesve. Por çdo fjali e tij kundërshtohet dhe bie poshtë nga rrëfimet e Saimir Bajramit, i cili dyshohet si bashkëpunëtor i Riformatos, si dhe nga dëshmitë e personelit të hotelit ku qëndroi për dy ditë. Madje, sipas këtyre dëshmive, piloti italian jo vetëm që është takuar me një person, që më vonë u identifikua si Saimir Bajrami, që dyshohet si bashkëpunëtor i tij, por darkuan së bashku.

“Në datën 08.05.2014, Saimir Bajrami ka shkuar pranë hotel ‘K…’, ku është interesuar për shtetasin italian që kishte ardhur atë ditë. Punonjësi i recepsionit i ka treguar se italiani ishte regjistruar në dhomën 106 dhe e ka njoftuar se po e prisnin te holli. Pasi janë takuar, të dy së bashku kanë dalë për të darkuar jashtë me makinën e Saimirit. Gjatë darkës kanë biseduar lidhur me modalitetet e trafikimit, për të cilën kanë vendosur që të dy bashkë do të dilnin të nesërmen me makinën e Saimirit, për të gjetur vendin e përshtatshëm”, thuhet në dosje. Kësisoj, të gjitha pretendimet e Riformatos, se nuk ka lidhje me tentativën e trafikut të drogës dhe se e uli avionin në Divjakë për shkak të motit të keq, duket se nuk qëndrojnë.

Madje për më tepër, sipas Saimir Bajramit, të dy bashkë kanë shkuar deri në Divjakë dhe Riformato e ka parë atë si vendin e përshtatshëm për të ulur avionin e tij ‘Piper’, ku edhe ngeci, pasi iu prish rrota.