“Dritoni i gjithanshëm”, shkrimi i parë në gazetë për Driton Kukën nga shoqja e shkollës

16:37 | 31 Korrik 2021

Driton Kuka u prezantua si një ambicioz i madh edhe në shkrimin e parë të botuar në gazetë për të.

Për ta dokumentuar këtë ambicie të një nxënësi të klasës së pestë u kujdes një shoqe e shkollës së tij pak më e madhe, njofton Klan Kosova.

Naime Beqiraj kishte shkruar artikullin në vitin 1983 kur vetë ishte në klasën e tetë të shkollës “Vëllezërit Ribar” në gazetën “Rilindja” për fëmijë dhe e ndau rrëfimin e saj për “Dritonin e gjithanshëm”, që kishte marrë një medalje të artë në xhudo në Ferizaj, në kohën kur Kuka ka tri medalje të arta olimpike.

“Ky djalosh simpatik është edhe dashamirës i madh i sportit”, kishte shkruar Beqiraj ndër rreshtat që tregonin edhe për pasionin e tij për libra.

“Kështu e fillova gazetarinë e shkruar. Personazh Driton Toni Kuka. Ishim nxënës të fillores, 1983. Unë nē klasë të 8-të, Toni në të 5-ën. Në Rilindjen për fëmijë”, tha ajo.

Kuka si trajner i ekipit kosovar të xhudos i solli vendit tri medalje të arta me kampionet Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.