Driton Selmanaj: Turpi i PAN-it dhe loja e VV-së
Deputeti i LAA-së, Driton Selmanaj ka thënë se PDK ka kërkuar edhe dy javë kohë deri në zgjedhjen e kryetarit të kuvendit, vetëm nga frika se po e humbin pushtetin.

Lajme
“Ata (PDK) frikësohen nga ç’pushtetizimi, ata frikësohen nga të zezat që ja bënë Kosovës nga vitit 1999, ata frikësohen se abuzimet e parasë publike do tu dalin sheshazi, ata frikësohen që shkatërrimi i pasurisë së Kosovës përmes procesit të privatizimit do ti dërgoj prapa grilave shumë nga ta, ata frikësohen se aura e pushtetit po perëndon dhe me këtë edhe perandoria kriminale do rrëzohet si piramida prej letre”, ka thënë Selmanaj.
Ai më tej ka thënë se edhe Vetëvendosje është duke bërë lojë, të cilën ai e quan perfide. Selmanaj nuk e sheh si zgjidhej për vendin një bashkëpunim të LDK-së me partinë që drejton Visar Ymeri.
Sipas deputetit të LAA-së, zgjidhja do të ishte një shkëputje e AAK-së dhe Nisma-s nga koalicioni PAN.
Ky është postimi i plotë i Selmanajt.
“Turpi i PAN-it dhe loja e VV-së
Edhe sot qytetarët e vendit shikuan sesi është katandisur Kuvendi i Kosovës, ku politikajt e papërgjegjshëm e kanë shëndrruar atë në teatër me shfaqje tragjiko-komike.
PAN – pa fije turpi kërkon edhe 2 javë kohë shtesë. Për çka? Cila është arsyeja? Pse nuk i mjaftuan më shumë se 2 muaj e tash i kërkojnë edhe 2 javë?
Përgjigja është tejet e thjeshtë: Ata (PDK) frikësohen nga ç’pushtetizimi, ata frikësohen nga të zezat që ja bënë Kosovës nga vitit 1999, ata frikësohen se abuzimet e parasë publike do tu dalin sheshazi, ata frikësohen që shkatërrimi i pasurisë së Kosovës përmes procesit të privatizimit do ti dërgoj prapa grilave shumë nga ta, ata frikësohen se aura e pushtetit po perëndon dhe me këtë edhe perandoria kriminale do rrëzohet si piramida prej letre.
Po pse në këtë lojë hyn edhe VV? pse Albin Kurtin, sulmon Kryeministrin Mustafa? Pse VV përmes kryesuesit të Kuvendit (Adem Mikullovcit) nuk lejoj deputetët e LAA-së të flasin, kurse Kadri Veselin po? A jemi të gjithë deputet të barabartë sipas VV-së dhe Adem Mikullovcit, apo Kadri Veseli ka status special për VV-në?
Përgjigja edhe këtu është mëse e thjeshtë: VV po bën lojë perfide për një grusht votash për zgjedhjet e ardhshme lokale. Yryshja për pushtet i ka bërë hipokrit, perfid dhe irracional në qasje dhe veprime. Të tillët koketojnë edhe me djallin vetëm e vetëm për të marr një copë pushteti. Kjo ska fare të bëjë me ftesë për bashkëpunim reciprok e aq më pak për një aleancë qeverisëse për të mirën e vendit dhe qytetarëve të saj.
Edhe më tutje shpresë për daljen nga kjo krizë institucionale mbetet distancimi i AAK-së dhe Nismës nga PDK. Ky do ishte fillimi i fundit të krizës politike në vend. DS”.