Driton Kuka reagon ashpër ndaj ministrave Dumoshi e Vitia

Selektori i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka kërkuar që nga 1 qershori të rifillojnë stërvitjet për të gjitha sportet.

Sport

31/05/2020 22:11

Përmes një postimi në Facebook, Kuka ka thënë se kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani dhe ministrja e MKRS-së, Vlora Dumoshi, duhet të takohen me ministrin në detyrë të Shëndetësisë Arben Vitia dhe IKSHPK-në dhe të vendoset për stërvitjet në të gjitha sportet.

Sipas tij, me dhjetëra mijëra të rinj në Kosovë po prisnin 1 qershorin për rifillimin e stërvitjeve.

“Me dhjetëra mijëra të rinj në Kosovë po prisnin 1 qershorin për rifillimin e stërvitjeve!
Ministrja Dumoshi e Kryetar i KOK Besim Hasani qysh sonte takim me Ministrin Vitia e IKSHP se klubet po shuhen, a e dini sa luan rol sporti në shëndetin mental të fëmijëve! E pabesueshme kjo punë!
Kosova spaska sporte tjera përveç futbollit. Sonte jo ma vonë të veproni!!
Stërvitjet duhen vazhduar qysh neser mos boni hajgare me afër 100 mijë të rinj!
Kemi dërguar si federatë protokolet tē punuara me zell e përkushtim për rifillimin e klubeve të xhudos por askush asnjë veprim konkret!”, ka thënë ai, duke kërkuar që sonte të merren masa.

Vitia sot në konferencë ka thënë se njëherë do të vazhdohen stërvitjet për klubet e Superligës në futbollin e Kosovës, duke shtuar se klubet tjera kanë treguar mirëkuptim.

“Njëherë do të vazhdohen stërvitjet për klubet e Superligës në futbollin e Kosovës. Kurse një pjesë e madhe e aktiviteteve sportive kanë treguar mirëkuptim qysh nga fillimi si federata e basketbollit, hendbollit dhe sportet tjera të cilat kanë hequr dorë që në kohë pandemie të mbahen stërvitjet dhe gara”, ka thënë ai.