Drita triumfon në derbin e gjashtë golave ndaj Llapit, fiton edhe Prishtina

Kanë përfunduar dy ndeshje në kuadër të xhiros së 28-të në Superligën e Kosovës.

Sport

11/04/2021 16:50

Drita triumfoi ndaj Llapit, që ishte kryendeshja e ditës së sotme (2 – 4), derisa Prishtina në udhëtim mposhti Drenicën (0 – 1), shkruan lajmi.net.

Te ndeshja që u zhvillua në “Zahir Pajaziti” dy skuadrat kërkuan golin qysh nga minutat e para.

Ishte Llapi që kaluan të parët në epërsi përmes Januzit pas vetëm dy minutave lojë (2′).

Por, Shabani barazoi shifrat pas dy minutave (4′), ndërsa Alidemaj kaloi Dritën për herë të parë në ndeshje në epërsi (30′).

Por, Llapi nuk u dorëzua duke barazuar pas dy minutave me anë të Sadriut (32′).

Ndërsa, pjesa e dytë i takoi kampionit të Kosovës. Fillimisht Shabani realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për “Intelektualët” (69′), pastaj Prisley vulosi fitoren (77′).

Me këtë fitore, Drita mban kreun me 61 pikë, derisa Llapi renditët në pozitën e shtatë me 33 sosh.

Nga ana tjetër, fitoren e Prishtinës ndaj Drenicës e siguroi goli i minutës së 77-të nga Leutrim Kryeziu.

Me këtë fitore Prishtina renditët në pozitën e tretë me 57 pikë, derisa Drenica në të vendin e tetë me 30 pikë./Lajmi.net/