Dridhen Tirana, Durrësi e Shijaku

Një tërmet i ri, me magnitudë 3.5 ballë i shkallës Rihter, është regjistruar në orën 15:56 të pasdites së shtunë. Lëkundjet janë ndjerë në Tiranë, Durrës, Shijak dhe Fushë Krujë, ndërsa epiqendra e tërmetit ka qenë 28 km nga kryeqyteti dhe 11 km nga Shijaku, në një thellësi prej 5 km.

Lajme

24/05/2014 18:17

Si raporton BW, momentalisht nuk raportohen dëme dhe as të lënduar, por lëkundjet e tërmetit kanë shkaktuar panik tek qytetarët, pasi vijojnë prej disa ditësh.

Më 19 maj, dhjetëra banesa pësuan dëmtime serioze, si pasojë e një tërmeti me magnitudë 5.2 të shkallës Rihter, që u regjistrua në orën 02:58 të mëngjesit. Epiqendra e tërmetit të asaj dite ka qenë rreth 44 km në jug të kryeqytetit, 30 km në verilindje të Fierit dhe 5 km në lindje të Lushnjës, në një thellësi prej 10 km.

Tërmeti 5.2 ballësh qe pasuar nga edhe shtatë lëkundje radhazi, që vijuan në ditët në vazhdim.

Po sot (të shtunën), edhe në Prishtinë u ndie një dridhje e lehtë toke, por vatra e tërmetit ishte në Greqi dhe ai u ndie edhe në Serbinë jugore, në Bullgari, si dhe në Turqi. Vetëm në Stamboll raportohen  rreth 100 persona të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore, për lëndimet që i kanë marrë duke ikur nga shtëpitë e tyre dhe duke kërcyer nga dritaret.