Dresden, policia ndalon mitingun anti-islamik

Për shkak të një kërcënimi terrorist, policia gjermane e ka ndaluar mbajtjen e mitingut të lëvizjes anti-islamike “Pegida” dhe tubime të tjera të planifikuara për tu mbajtur sot në Dresden të Gjermanisë.

Bota

19/01/2015 10:46

Policia në Dresden ka njoftuar të dielën se autoritetet federale shtetërore kanë marrë informacione për një kërcënim ndaj lëvizjes Pegida (Evropianët Patriotë kundër Islamizimit të Evropës).

Policia ka bërë të ditur se kërcënimet kanë qenë të tilla që vrasësit të jenë në mesin e protestuesve gjatë tubimit, ndërsa qëllim e kanë pasur vrasjen e njërit nga organizatorët e mitingjeve të Pegida-s.

E përditshmja gjermane Bild ka bërë të ditur se kërcënimet kanë pasur në shënjestër udhëheqësin e Pegida-s, Lutz Bachmann, raporton RFE.

Që nga tetori i vitit të kaluar “Pegida” ka organizuar mitingje në Dresden. Në mitingun e organizuar më 12 janar, kanë marrë pjesë rreth 25 mijë njerëz, por protestat e këtilla janë kritikuar nga klasa politike në Gjermani, e madje edhe janë penguar nga autoritetet lokale nëpër disa qytetet.