Drejtoria Rajonale e Policisë Prishtinë, prezantoi punën vjetore për vitin 2016

Dje në Drejtorisë Rajonale të Policisë - Prishtinë u bë prezantimi i punës për vitin 2016, pas zhvillimit me sukses të analizave mujore e gjashtëmujore në të gjitha strukturat policore të rajonit të Prishtinës (stacione dhe njësite).

Lajme

01/03/2017 14:44

Që në fillim të vitit 2017, stafi drejtues i Drejtorisë Rajonale të Prishtinës, ka analizuar situatën konkrete të rendit e të sigurisë publike dhe gjendjen e kriminalitetit në shkallë rajoni dhe mbi këtë bazë përcaktuan objektivat, përparësitë dhe drejtimet kryesore të punës, të cilat janë zbërthyer e konkretizuar në planet periodike, mujore, ato afatshkurta dhe afatmesme.

Drejtoria e Policisë së Rajonit të Prishtinës gjatë periudhës analizuese ka përcaktuar qartë vijat të cilat është dashur  të ndiqen nga të gjithë oficerët e rajonit, ndër to edhe:

  • Rritjen e cilësisë se punës në drejtim të identifikimit të dyshuarve, të evidentimit, parandalimit, zbulimit dhe goditjes se veprimtarisë kriminale, rrjeteve kriminale dhe goditjes së krimit në të gjithë format e shfaqjes se tij.
  • Rritjen e prezencës policore dhe cilësisë së shërbimeve me uniformë, me synimin e qartë, zbatimin rigoroz të ligjit, etikë profesionale dhe përmirësimin e imazhit në publik, duke adaptuar filozofinë e policisë në komunitet.
  • Kontrollin e balancuar të territorit, duke synuar shtrirjen e shërbimeve policore edhe në zona periferike e rurale, jo vetëm në drejtim të rendit publik, por edhe të sigurisë rrugore.
  • Forcimin e bashkëpunimit institucional në funksion të zbatimit të ligjit dhe rritjen e parametrave të sigurisë.
  • Në vendosjen e linjave të komunikimit në rrugë institucionale me organet e tjera shtetërore, të angazhuara në luftën kundër krimit, me pushtetin vendor, si dhe në krijimin e një partneriteti të qëndrueshëm me komunitetin, dhe mediat elektronike e të shkruara.
  • Ngritjen në një shkallë më të lartë të nivelit profesional të të gjitha strukturave policore të Rajonit të Prishtinës, si dhe
  • Reformimin strukturor.

Mbështetur në vlerësimet dhe analizën që ju bë raportit vjetor të punës për vitin 2016, Drejtori Rajonal i Policisë së  Prishtinës, nënkolonel Rexhep Sijarina, në një fjalë rasti theksoi se situata në drejtim të rendit dhe sigurisë publike në territorin e Rajonit të Prishtinës është brenda parametrave normal e të qëndrueshëm.

Nënkolonel Sijarina duke ofruar mbështetjen e plotë,  kërkoi nga vartësit e tij, të evidentojnë ngecjet eventuale dhe bashkërisht të punojnë për krijimin e një ambienti të qete dhe sigurt për të gjithë qytetarët.

Gjatë vitit 2016, në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë, janë raportuar 19.724 raste, nga të cilat janë  hetuar, zbuluar dhe dërguar në gjykatë 69.99 % e tyre, janë goditur dhjetëra grupe e kriminale, si dhe janë arrestuar 2.293 persona të dyshuar për vepra të ndryshme.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015, në numrin e përgjithshëm të rasteve të raportuara në polici kemi një ngritje prej 1.54%.  Rritje kjo që pas analizimit të detajuar të shifrave, (ku hyjnë një numër i rasteve që në vitet paraprake qytetarët kanë hezituar t’i paraqesin),  del si një parametër i mirë se besueshmëria e qytetarit në raport me organizatën tonë është në rritje.