Drejtori i ri i RTK-së kishte kontribuuar gjashtë herë me para për Vetëvendosjen

Rilind Gërvalla është emëruar sot në pozitën e drejtorit të kanalit shqip të Radio Televizionit të Kosovës, pasi Bordi i RTK-së ka miratuar rekomandimin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së. Pas emërimit, Gërvalla ka reaguar në Facebook duke thënë se ndihet i privilegjuar për pozitën e re, me ç’rast ka falënderuar edhe kolegët e bashkëpunëtorët…

Lajme

31/01/2023 17:59

Rilind Gërvalla është emëruar sot në pozitën e drejtorit të kanalit shqip të Radio Televizionit të Kosovës, pasi Bordi i RTK-së ka miratuar rekomandimin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.

Pas emërimit, Gërvalla ka reaguar në Facebook duke thënë se ndihet i privilegjuar për pozitën e re, me ç’rast ka falënderuar edhe kolegët e bashkëpunëtorët për rrugëtimin e përbashkët gjatë këtyre viteve të punës, shkruan lajmi.net.

Por, Gërvalla ka shfrytëzuar rastin që të flas edhe për kritikët e tij, të cilët e kanë akuzuar për afërsi me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, duke ngritur kështu dyshime për ndikim në përzgjedhjen e tij si drejtor i ri.

Ani pse vetë Gërvalla nuk kishte hezituar të shpreh haptas përkrahjen e tij ndaj Lëvizjes Vetëvendosje ndër vite, ai ka thënë se akuzat ndaj tij janë duke u bërë për propagandë, andaj do të ndjek rrugët ligjore për këto çështje.

Përpos fotove që Gërvalla ka postuar kohë pas kohe më zyrtarë të VV-së, ai ka qenë edhe donator i kësaj partie.

Në raportin vjetor të Lëvizjes Vetëvendosje të vitit 2020, tek lista e donatorëve që kanë kontribuar me të holla në këtë parti, emri i Rilind Gërvallës figuron gjashtë herë.

Sipas raportit, ai ka kontribuuar gjashtë herë nga 10 euro për Lëvizjen Vetëvendosje, shuma këto të dhuruara në kohë të ndryshme.

Për herë të parë, Gërvalla ka deponuar 10 euro më 7 korrik të vitit 2020, pastaj më 7 gusht ka dhuruar 10 euro të tjera, më 7 shtator, më 7 tetor, më 9 nëntor dhe me 7 dhjetor.

Kujtojmë se për emërimin e Gërvallës në pozitën e drejtorit në RTK kanë reaguar edhe partitë opozitare, përfshirë këtu edhe Partinë Social Demokrate.

Zyrtari i PSD-së, Zgjim Hyseni, e ka konsideruar emërimin e Gërvallës si “fyerje e poshtërim”, duke thënë se ky është rasti më brutal i kapjes deri më tani. /Lajmi.net/