Drejtori i ekipit kombëtar të Zvicrës: Andi na konfirmoi sot qëndrimin

Një kthim 180 shkallë rreth të ardhmes së Andi Zeqirit në nivel ndërkombëtar.

Sport

29/09/2020 19:22

Një ditë më parë, babai i tij për mediet në Kosovë tha se futbollisti ka ndarë mendjen, duke dashur të përfaqësojë ‘Dardanët’, përcjell lajmi.net.

Por, krejt ndryshe raportohet sot në Zvicër, me Andin që duket ka vendosur të mbetet te helvetikët.

Ishte fillimisht agjenti i tij, Michael Urscheler nga Gold Kick SA, që bëri të ditur se Andi dëshiron të mbetet te Zvicra.

“Kompania Gold Kick SA dëshiron të njoftojë, se futbollisti me shtetësi të Zvicrës dhe Kosovës, Andi Zeqiri, sot i ka dërguar një letër Federatës së Futbollit të Zvicrës, në të cilën e ka konfirmuar, se edhe mëtutje dëshiron të luajë për përfaqësuesen e Zvicrës. Kjo duhet (momentalisht) të ndalë spekulimet dhe informatat, që kanë dal nga mediume të ndryshme ndërkombëtare”, ka shkruar agjenti i tij në Facebook.

Pas tij, ka ardhur një reagim edhe nga drejtori i ekipit kombëtar të Zvicrës, Pierluigi Tami, që deklaron se Andi ka konfirmuar qëndrimin te Kombëtarja e Zvicrës.

“Ne jemi në kontakt të rregullt me Andi Zeqirin. Ai na tha sot (e martë), se do të vazhdojë të luajë për Zvicrën. Deri më tani ai gjithmonë e ka bërë këtë me shumë gëzim dhe pasion”, ka deklaruar Tami, përcjell lajmi.net.

Andi Zeqiri deri më tani ka përfaqësuar Zvicrën te grupmoshat e reja, duke arritur deri te U21./Lajmi.net/