Drejtorët e VV-së konfirmojnë largimin nga Komuna e Prishtinës, akuzojnë Shpend Ahmetin

Mosparalajmërimin për shkarkim, Vitia e cilësoi si ikje e kryetarit Ahmeti nga ballafaqimi.

Lajme

08/11/2018 14:00

Dy ish-drejtorët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Arben Vitia, Nora Kelmendi dhe drejtori i Kulturës, Yll Rugova, kanë mbajtur konferencë për media, gjatë së cilës janë shprehur se nuk ka qenë e drejtë që Kryetari Ahmeti ka marrë vendim për shkarkim të tyre, pa folur me ta.

Sipas tyre, lajmin e kanë marrë nga një emision televiziv, raporton Ekonomia Online.

Arben Vitia, tashmë ish-drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, ka thënë se indikacion për shkarkime të tyre ka pasur nga kryetari i Prishtinës, pasi sipas tij, ka muaj që kryetari nuk përgjigjet në email-ët e tyre, as në telefonat dhe shkrimet e tyre drejtuar atij.

“Falë punës së përbashkët kemi arritur të ndryshojmë konceptin e qeverisjes në Prishtinë. Siç jeni informuar mbrëmë, kryetari largoi Vetëvendosjen nga qeverisja në Prishtinë. Edhe ne e kuptuam nga po ky emision televiziv. Kjo qeverisje u fitua me angazhimin e mijëra vullnetarëve. Është e qartë se kryetari pas mandatit të dytë nuk i bëhet vonë për angazhimin e aktivistëve e as për premtimet që ua dha”.

Mosparalajmërimin për shkarkim, Vitia e cilësoi si ikje e kryetarit Ahmeti nga ballafaqimi.

Ai tha se Ahmeti nuk u ka krijuar hapësirë as për të kërkuar sqarim nga ai.

“Në çdo prononcim e kam theksuar se kjo punë nuk do bëhej pa Vetëvendosje. Unë nuk kam koment, mbrëmë në ora tetë e kuptova nga emisioni, emisioni ishte i incizuar më herët. Ka pasur kohë deri në deklarim të na thërrasë, por nuk e ka bërë. Kjo flet për një ikje nga ballafaqimi i kryetarit Ahmeti. Nuk na ka dhënë as hapësirë me lypë sqarim”.

Nora Kelmendi, ish-drejtoreshë e Kadastrit, ka thënë se një veprim i tillë tregon mungesë respekti për ta, raporton EO.

“Kjo tregon se ai e kishte shumë të vështirë të ballafaqohej sy më sy me mua dhe Benin. Gjesti tij tregon një qyqarllëk dhe mungesë guximi e respekti ndaj LVV-së. Pas 5 vite punë, Shpendi nuk arriti t’i gjejë pesë minuta të bisedojë me ne. Të largoj VV-në nga qeverisja tregon se ky kryetar e ka larguar programin me të cilin kemi fituar”.

Yll Rugova, drejtor i Kulturës në Komunën e Prishtinës, ka thënë se kjo nuk do të jetë ndalesë për ta, por do të vazhdojnë me projekte edhe më të mëdha si Lëvizje Vetëvendosje.

“Pa marrë parasysh a quhet shkarkim apo si, Lëvizja Vetëvendosje është larguar dje nga Komuna e Prishtinës duke kriju mundësi që të krijohen koalicione të reja brenda qeverisjes. Jam i bindur që shumë shpejt si Vetëvendosje do vazhdojmë të bëjmë projekte edhe më të mëdha, dhe më të mira”.