Drejtësia vendos sërish kundër Trumpit

Drejtësia vendos sërish kundër vendimit për t'u ndaluar hyrjen qytetarëve nga gjashtë vende kryesisht islamike.

Bota

26/05/2017 09:15

Presidenti Donald Trump vazhdon të ndeshë në rezistencë me vendimin e tij për t’u ndaluar hyrjen qytetarëve nga gjashtë vende kryesisht islamike.

Gjykata e Apelit në Virginia e konsideroi si të paligjshëm këtë vendim. 3 nga 10 anëtarë të trupit gjykues ishin kundër vendimit. Gjykata argumentoi se ndalimi i hyrjes shkel parimin kushtetues të lirisë fetare.

Shtëpia e Bardhë u ka ndaluar për 90 ditë hyrjen për arsye të interesave të sigurisë kombëtare qytetarëve nga gjashtë vende kryesisht islamike. Për çështjet e sigurisë vendos presidenti dhe Trumpi nxori një javë pas fillimit të detyrës dekretin përkatës.

Trump Reiseverbot New York (picture alliance/AP Images/A. F. Yuan)

Vendimi për t’u ndaluar hyrjen qytetarëve nga gjashtë vende kryesisht islamike u ndërpre fillimisht nga një gjykatë në Seattle. Në janar ky vendim shkaktoi kaos në aeroporte, sepse nuk qe e qartë se cilëve persona u duhej refuzuar hyrja në SHBA.

Jo sakrifikim i Kushtetutës

Tani Gjykata e Apelit në Seattle pritet të vendosë edhe për një ankim nga shteti federal i Havajit.  “Terrorizmi duhet të ndalet, por jo me mënyra që shkelin dhe sakrifikojnë parimet e Kushtetutës sonë “, tha Prokurori i Përgjithshëm i shtetit të Havajit, Douglas Chin.

Me sa duket çështja e dekretit të Trumpit do të kalojë deri në Gjykatën e Lartë në Uashington./DW