Drejt Stacionit Numër 1

Ramush Haradinaj ka folur për 8 komuna në balotazh, por s’është i kënaqur me rezultatin. Ai thotë se stacioni numër tre nuk është synimi i tij, por stacioni numër një.

Lajme

06/11/2013 12:14

Ramush Haradinaj nuk parapëlqen gëzimin kur njerëzit i thonë se tani është partia e tretë në vend. Ai thotë se s’është nisur për në stacionin e tretë, por për të parin.

“Nuk jemi të kënaqur me rezultatin, edhe pse kemi rritje të votës nga cilado palë zgjedhje paraprake, përfshirë edhe nga zgjedhjet 2009 kur ishim 18%. Pra, kemi rritje faktike të numrit të votës, por ne s’e kemi menduar këtë argument për të festuar, për shkak se po shkojmë më tutje dhe puna po vazhdon”, ka thënë Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë  e Kosovës, në një konferencë përmedia.

“Aleanca ka shtuar vota, dhe ka votë për asamble rreth 100 mijë, sipas të dhënave të KQZ’së”.

“Gara për ne si garë zgjedhore vazhdon, jemi në balotazh në 8 komuna; në Suharekë, Rahovec, Gjakovë, Pejë, Junik, Vushtrri, Klinë dhe Obiliq. Në këto komuna punojmë për të fituar”.

“Në Viti ta shohim si do të shkojë, në Gjilan nuk kemi qëndrim dhe jemi të hapur, në Dardanë jemi ende të hapur, në Novobërdë i ndihmojmë kandidatit shqiptar nga LDK’ja”.

I pyetur nëse bashkëveprimet reciproke ndërmjet partisë së tij dhe PDK’së e përcaktojnë qëndrimin e tij edhe për zgjedhjet qendrore, Haradinaj ka mohuar një gjë të tillë.

“Jo, disa njerëz më uruan dhe më thanë tani je partia e tretë dhe pa ty s’vendoset. Dhe unë u thashë: më falni, nuk jam nisur për në stacionin numër 3, por për të parin”.

“Unë synoj ta ndalë qeverisjen Thaçi, për t’i dhënë Kosovës një Qeveri tjetër, e a do të mundet PDK’ja të jetë pjesë e asaj qeverisje ndonjëherë apo do të jetë LDK’ja, tani është herët që ta them”.

Sipas Haradinajt, Partia Demokratike e Kosovës Dega në Prizren ka ofruar 4 Drejtori dhe Nënkryetarin për AAK’në.

“Dega e PDK’së në Prizren i ka bërë ofertë gjeneroze Aleancës për t’i marrë përgjegjësitë qeverisëse. Me sa di unë, ata i kanë dhënë 4 Drejtori dhe Nënkryetarin dhe këta e kanë pranuar këtë ofertë”.

“Në nivelin komunal nuk kemi një pozicion të prerë, ashtu siç s’kanë edhe partitë tjera. Aty ku garon PDK kundër nesh, do ta kërkojmë ndihmën e secilit. Aty ku garon LDK kundër nesh, do ta kërkojmë ndihmën e secilit. Sot kemi pasur takimin e parë me kandidatët për kryetarë të komunave  dhe kemi komunikuar hapur se si do të veprojmë në vazhdimësi”.