Drejt fundit të pandemisë? OBSH këshillon që të mos ndalohen më udhëtimet ndërkombëtare

Ndalimet e udhëtimeve ndërkombëtare duhet të lehtësohen ose të hiqen krejtësisht, sipas rekomandimeve të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Bota

21/01/2022 19:39

OBSH ka botuar një deklaratë ku diskuton efikasitetin e ndalimit të udhëtimeve dhe nëse duhet të anulohen.

Ndalimet e udhëtimit “nuk janë efektive në parandalimin e përhapjes së virusit (siç tregohet qartë nga përvoja e Omicron)”, thuhet në deklaratë.

Si rrjedhojë, këshilla e re e OBSH-së është që shtetet “të heqin ose të lehtësojnë ndalimet e trafikut ndërkombëtar, pasi nuk ofrojnë vlerë të shtuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në stresin ekonomik dhe social” të disa shteteve.

Në vend të ndalimeve të udhëtimeve ndërkombëtare, thuhet se duhet të ketë “masa udhëtimi” për të kontrolluar përhapjen e virusit.

“Masat si mbajtja e maskës, testimi, izolimi/karantina dhe vaksinimi reduktojnë rezikun dhe do të shmangin vendosjen e barrës financiare për udhëtarët ndërkombëtarë”, shkruan OBSH.

Ju kujtojmë se OBSH është shprehur së fundmi se Covid-19 mund të përfundojë gjatë këtij viti nëse nuk shfaqet ndonjë skenar i papritur apo problemet me vaksinat dhe ilaçet zgjidhen shpejt.